Kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, Shalva Papuashvili, nënshkroi ligjin për "ndikim të huaj", ligj i cili më parë u refuzua nga presidenti i vendit.
"Unë do të doja të falënderoja popullin gjeorgjian, i cili edhe një herë tregoi mençuri, nuk iu dorëzua vërshimit të gënjeshtrave dhe urrejtjes dhe u tregoi të gjithëve brenda dhe jashtë vendit se ekziston vetëm njëra anë, ana e Gjeorgjisë", citohet të ketë thënë Papuashvili nga transmetuesi publik i Gjeorgjisë 1TV.
Të mërkurën e kaluar, Papuashvili tha se do ta nënshkruante propozimligjin në përputhje me legjislacionin e vendit nëse presidentja Salome Zourabichvili refuzonte ta bënte këtë.
Komentet e tij erdhën një ditë pasi parlamenti gjeorgjian votoi sërish për ligjin, përkundër vetos së presidentes Zourabichvili.
Ligji për Transparencën e Ndikimit të Huaj kërkon që organizatat, përfshirë mediat, të cilat pranojnë më shumë se 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë, të regjistrohen në shtet. Ligji gjithashtu kërkon që ata të publikojnë raportet vjetore financiare.
Ligji u prezantua për herë të parë në mars 2023, por më pas u anulua pasi shkaktoi protesta masive që rezultuan në arrestimin e 66 personave dhe plagosjen e më shumë se 50 policëve.
Ligji sërish erdhi në procedurë parlamentare në prill, duke rindezur protestat.
Kritikët thonë se ligji do të minonte demokracinë, duke e etiketuar atë një "ligj rus", por anëtarët e shumicës në pushtet argumentojnë se ai do të rrisë transparencën./aa