Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, mbajti konferencë për media me rastin e 100 ditëve të para të qeverisë.
Ministri Taravari shpalosi për mediat projektet dhe sukseset e Ministrisë së Shëndetësisë gjatë 100 ditëve të para.
"Në 100 ditët e kaluara prioriteti ynë kryesor si Ministri e Shëndetësisë ishte përmirësimi i kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët tanë. Së bashku me ekipin tonë ne jemi vazhdimisht të përkushtuar për të përmbushur nevojat e pacientëve dhe të gjithë aktorëve në sistemin shëndetësor", tha Taravari.
Ai theksoi se në dy vitet e ardhshme 600 specializantë privatë do të punësohen në institucionet shëndetësore publike. Ministri Taravari tha se me këtë masë ministria do të angazhohet ku kuadri i ri shëndetësor të përfshihet në shëndetësinë publike dhe të zvogëlohet probaliteti për të ikur jashtë vendit.
"Në bashkëpunim me fakultet e mjekësisë po punojmë për një zgjidhje ligjore për stimulimin e studentëve më të mirë të mjekësisë që ato menjëherë pas diplomimit të angazhohen si punëtorë shëndetësorë, respektivisht si mjekë në institucionet shëndetësore publike", tha Taravari.
Ai thekson se janë siguruar rreth 10 milionë euro për pastrimin e ajrit nëpër spitalet e vendit.
Taravari deklaroi se me Ministrinë e Shëndetësisë së Kroacisë kanë nënshkruar bashkëpunim në disa segmente shëndetësore për këmbimin e përvojave, edukimin e kuadrove dhe transplantime./aa