Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Reformën në Drejtësi nuk e imponuan ambasadorët, por u desh shumë kohë për t’i bindur edhe vetë ata për domosdoshmërinë e këtij ushtrimi shumë të paparashikueshëm dhe që vullneti ynë ishte pavarësimi i drejtësisë nga pushteti politik.

Në mbledhjen e zgjeruar me grupin parlamentar të PS-së dhe kabinetin qeveritar, Rama iu përgjigj të gjithë atyre që thonë se Reformën në Drejtësi e imponuan ambasadorët.

“Unë mund të mos jem shumë i zgjuar por edhe kaq fare idiot sa të shkoja derë më derë sa në Berlin e Bruksel për të kërkuar aleancë për vetingun të cilin në ato fillime as në Berlin as në Bruksel nuk e pranonin se e konsideronin si shkelje të të drejtave të fituara. Pastaj në Uashington për të kërkuar aleancë për BKH-në, e cila është në programin tonë të vitit 2009. Dhe do më gënjente mendja se do të shembja me ndihmën e partnerëve strategjikë një pallat drejtësie në llum për të ngritur një pallat drejtësie të selia e PS-së”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Reforma në Drejtësi nuk do të ndodhte po të mos ishte vullneti i hekurt i PS-së, dhe vendosmëria për të mos u tërhequr edhe në presionin real e konkret.

“Çdo të bënin ambasada amerikane bashkë me Europën nëse edhe ne do të ishim si gjithë të tjerët dhe do të ishim për zhvillimin gradual, siç na thoshin ata kur unë shkoja nga kancelarja gjermane në zyrat e Brukselit dhe të Uashingtonit dhe i thosha duhet të bëjmë tërmet”, shtoi kryeministri.

“Si mund të bënte vaki që të shkruheshin ato analiza, drafte, stërdrafte bashkë me ekspertë ndërkombëtare po të mos ishte vullneti i hekurt i PS-së dhe vendosmëria për të mos u tërhequr edhe nën presionin real konkret, duke parë detin para gjirit të Lalëzit, që do prishej koalicioni qeverisës se edhe sikur të vinte flota e 6 amerikane në Lalëz nuk kalonte reforma në drejtësi. Dhe nga ana tjetër si do ndodhte kjo nëse ne nuk do ishim vendosur që mos të dëgjonim asgjë, asnjë, madje edhe zëra brenda nesh, jo më të tjerë që thoshin ore e kuptoni që kështu do ikim për lesh. Në kuptimin që e kuptoni që kështu nuk do të jemi më ne ata që vendosin ditën dhe natën se kur zbardh dhe kur ngryset. Këto janë faktet. E çdo bënin ambasadat, e çdo bënte Amerika bashkë me Europën nëse edhe ne do ishim si të gjithë të tjerët bashkë me të gjithë tjerët dhe do ishim për zhvillimin gradual siç na thonin ata kur unë shkoja nga kancelarja gjermane në zyrat e Brukselit, në zyrat e Uashingtonin dhe unë i thosha, ne duhet të bëjmë tërmet”, tha ai.

Kryeministri iu përgjigj edhe atyre që pretendojnë se e kontrollon ai SPAK-un.

“Kush thotë që e kontrolloj unë SPAK jo vetëm që nuk ka prova apo argumente por ka një problem më të madh se nuk ka se si ta pranojë dhe as ta tolerojë mendërisht që unë në politikë kam hyrë për të ndryshuar dhe kthyer përmbys çfarë mundem nga karakatinat e së shkuarës së largët e të afërt. E tregon historia ime politike. Nuk kam hyrë për të qenë një i gjatë në radhën e atyre që bëhen ministra, kryetar bashkie, kryeministra e ikin e nuk lënë gjurmë në rastin më të mirë, apo bëhen për të ardhur keq”, tha Rama.

“Çfarë më duhet mua mua kontrolli i SPAK? Që ndonjë mes nesh të flerë rehat mbi dyshekët e mbushura me puplat e korrupsionit? Nuk ju vë faj se po të ishin në vendin tim do të bënin gjërat që na akuzojnë siç i kanë bërë ata kur ishin në vendin tim. Dhe ja ku janë sot, gazi i botës me gojën çapraz kundër korrupsionit”, tha Rama./ata