Në Durrës po ndërtohet i pari parkim publik që pritet t’i japë zgjidhje trafikut sidomos gjatë periudhës së plazhit. Me gjysmë miliard lekë, parkimi me disa kate do të jetë gati në prillin e vitit të ardhshëm. Ndërsa çmimi i biletave pritet te përcaktohet nga Këshilli Bashkiak.

 

Në qytetin e Durrësit kanë nisur punimet për ndërtimin e të parit parkim publik.

 

Godina për parkimin është duke u ndërtuar midis stacionit të trenit dhe portit të qytetit, si një investim i domosdoshëm, për shkak të pozicionit strategjik.

 

“Do të ketë  396 vende parkimi dhe 7 nivele, duke përmirësuar trafikun, pasi kushdo që viziton Durrësin, mund të parkojë në këtë pikë e cila ndodhet jo më larg se 1 km nga qendra e qytetit”, u shpreh Emiriana Sako, Kryetarja e Bashkisë Durrës.

 

“Godina e parkimit publik në Durrës financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlere prej 572 milionë lekësh dhe pritet të jetë gati në prill të vitit 2024. Çmimi i biletave pritet të përcaktohet në muajt në vijim nga këshilli bashkiak”, u shpreh Sako.