Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni theksoi sot se “prej vitesh busulla jonë në avancimin e reformës në administratën publike dhe luftës kundër korrupsionit mbeten të gjitha detyrat që rrjedhin nga procesi i integrimit europian”.
Në fjalën e saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, Pirdeni tha se “ne nuk vijmë në këtë raportim vetëm me disa detyra të kryera, por mbi të gjitha edhe me disa zotime të ndërmarra deri në vitin 2030 përmes dy dokumenteve kyçe siç janë udhërrëfyesi për shtetin e së drejtës dhe udhërrëfyesi për reformën në administratën publike, të cilat janë dokumente të dakordësuara me të gjitha institucionet përkatëse të linjës, ku përfshihen këtu edhe shumë institucione të pavaruara, përtej institucioneve që i përkasin sferës së qeverisë, ku janë ndërmarrë nisma të tilla që përcaktojnë në mënyrë shumë të qartë se ku Shqipëria duhet të ketë progres deri në 2030”.
Duke folur për disa nga zhvillimet dhe arritjet kryesore të kësaj periudhe raportimi, ministrja Pirdeni u shpreh se “janë evidentuar një sërë arritjesh dhe vendin e parë e zë reforma e pagave, e cila nisi vitin e kaluar dhe vjen si një kërkesë që buronte nga i gjithë procesi i zhvillimit dhe rienergjizimit të administratës publike, por edhe në përgjigje të rekomandimit të Komisionit Europian për të rishikuar thelbësisht sistemin e pagave për të garantuar jo vetëm një përgjigje meritokratike të gjithë punës së kolegëve që punojnë me shumë ndershmëri, integritet dhe profesionalizëm në strukturat tona shtetërore, por mbi të gjitha për t’i bërë drejtësi të gjitha fazave të ardhshme të procesit të negociatave, të cilat priten të intensifikohen”.
“Gjatë një viti është zbatuar faza e parë e rritjes së pagave me një rritje prej 16-46%, e cila do të vijojë me një fazë të dytë këtë vit, që do të prekë një fashë tjetër të nëpunësve në administratën publike duke filluar nga nëpunësit civilë të nivelit më të ulët sikurse janë specialistët, punonjësit e sigurisë, Forcat e Armatosura, punonjësit në sektorin e arsimit, në sektorin e shëndetësisë mjekët e përgjithshëm dhe infermierët si dhe të gjithë punonjësit e institucioneve të njësive të qeverisjes vendore”, tha Pirdeni.
Lidhur me masat e ndërmarra të udhërrëfyesit për reformën në administratën publike, Pirdeni vuri në dukje se “që nga dhjetori i 2023 kur ky udhërrëfyes është miratuar janë shënuar një sërë arritjes si rritja e fokusit ndaj ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve jo vetëm në formë dixhitale në tre vitet e fundit, por ka edhe një fokus të veçantë në garantimin e aksesit në të gjithë personave që i përkasin grupeve vulnerabël”./ata