Deputetja Albana Vokshi, në një deklaratë nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, u shpreh se ka kallëzuar kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari dhe biznesmenin Pëllumb Salillari. Ajo tha për mediat se të dy kanë përdorur postin e tyre dhe burimet financiare, për atë që ajo e cilësoi krimin elektoral të 14 Majit.
Vokshi u shpreh se SPAK refuzon të hetojë krimet elektorale, ndërsa njoftoi se kanë dorëzuar rreth 30 kallëzime për zgjedhjet.
“Bëhet fjalë për një kallëzimet që opozita ka dërguar në SPAK për zgjedhjet e 14 majit. Sot isha për të dëshmuar për kallëzimin penal për kryetarin e bashkisë Kuçove dhe biznesmenit Pëllumb Salillari. Dhashë gjithë provat në lidhje me këta dy shtetas që jo vetëm që kanë përdorur postin e tyre, por duke pasur një lidhje klienteliste e kanë shfrytëzuar burimet e shtetit, njerëzore dhe financiare për fitime personale. Ky është një rast i pastër që lidhja e qeverisë me oligarkët është përdorur për të blerë vota. Dëshmohet sesi partia-shtet ka abuzuar me burimet për të fituar zgjedhjet e 14 majit. Ka prova që është shtruar asfalt elektoral në disa rrugë, pa projekt, standard apo tabelë rrugore. Kanë qenë vetë banorët që kanë ndalur punimet, pasi s’ka pasur standarde. Ka kudo prova konkrete që ndahen thasët derë më derë nga punonjësit e bashkisë. Në një vend mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme kur ka drejtësi, në këtë rast SPAK nuk ka vepruar. Nëse do kishte vepruar SPAK, drejtësia, drejtohesha e aksit që ka përdorur të dhënat e qeverisë, patronazhistët do ishin në burg. Do ishte stopuar dhe aplikacioni Aktivisti. Nëse drejtësia do të kishte vepruar edhe partia nuk do të ishte bërë njësh me shtetin, duke dhënë edhe para publike në bonuse pensione, tërmeti dhe ndihmë ekonomike. Megjithatë ne nuk dekurajohemi dhe do denoncojmë raste të tilla.
Ne kemi votuar reformën në drejtësi dhe çdo reformë në lidhje me SPAK. Kemi bërë kallëzim penal ndaj Edi Ramës për shkelje flagrante të kushtetutës dhe kërcënimet për qytetarët dhe kandidatët e bashkisë. Janë disa kallëzime që kemi bërë ne si koalicion për Ramën”, u shpreh Vokshi.