Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu deklaroi sot se buxheti për shërbimin e jashtëm nuk paraqet asgjë të re.

Në prezantimin e projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2025” për shërbimin e jashtëm nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në Komisionin për Politikën e Jashtme, Shehu u shpreh se, “buxheti i paraqitur dhe idetë e paraqitura të buxhetit, pra ajo strategji “strategji” që u kërkua të sheqerosi këtë buxhet për mua është vetëm një kënetë e vazhdimit të një politike të jashtme, fatkeqësisht për shqiptarët, të dështuar, jo dinamike, pa kolona të qarta dhe pa perspektivë dhe jo në shërbim të interesave të mëdha të Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, tha Shehu.

Shehu theksoi se, MEPJ dhe trupi diplomatik vazhdon të përdoret politikisht

“Pavarësisht nga buxheti, i cili është për mua një kockë dhe asgjë më shumë, për një diplomaci të një vendi, MEPJ dhe trupi diplomatik vazhdon të përdoret politikisht dhe kthehet në një shtojcë të partisë dhe jo në një instrument të shtetit shqiptar. Përdoret politikisht në mënyrën më brutale të mundshme duke denigruar personalitetin e diplomatëve, duke i detyruar ata të kthehen në patronazhistë apo duke mbushur radhët e diplomatëve me patronazhistë, gjë që lidhet edhe me ligjin e ri të trupit diplomatik, i cili nuk bën gjë tjetër vetëm se i jep mundësi të politizimit të mëtejshëm të ministrisë sonë të jashtme të mbushjes së saj me militantë partie, keqpërdorimit të rolit të diplomacisë së një vendi dhe kthimit të saj në një shtojcë thjesht të regjimit”, u shpreh Shehu.

“Kjo është e vërteta. Pra është e kotë të hysh në detajet e buxhetit se edhe nga ana financiare nuk paraqet asgjë të re. Prandaj e deklaroj votën time kundër këtij buxheti”, tha ai./ata