Mirlind Daku do të jetë në qendër të vëmendjes në merkaton e verës, sidomos nëse bën paraqitje të rëndësishme në Euro 2024. Futbollisti i Kombëtares kuqezi, po kalonte një formë të mirë në Rusi me fanellën e Rubin Kazan, por tashmë raportohet se për të kanë ardhur një lumë ofertash nga klube të tjera të mëdha.
“VseProSport” bën të ditur se klubet e Zenit, Krasnodar dhe Dinamo Moskës janë interesuar për futbollistin shtatlartë i cili ka lënë shenjën e tij me Rubin duke shënuar 10 gola në 28 ndeshje në sezonin e tij të parë në Rusi. Por jo vetëm kaq, pasi edhe Beshiktashi raportohet se ka bërë një ofertë për të siguruar shërbimet e futbollistit.
Megjithatë, Rubin Kazan ka vendosur të presë, pasi në klub janë të ndërgjegjshëm që vlera e Dakut do të rritet në bazë të paraqitjeve që do të bëjë në Euro 2024 nën drejtimin e Silvinjos. Çdo gol apo asist atje bën që të rritet në mënyrë të menjëhershme vlera e kartonit ndaj klubi rus shpreson që Daku të lërë shenjë, në mënyrë që të përfitojë financiarisht nga transferimi i tij, Sulmuesi ka edhe një vit kontratë të mbetur me klubin e Rubin Kazan./Panorama