Kombëtarja shqiptare u ka dhënë fund përgatitjeve, ndërsa në mbrëmjen e kësaj të marte përballet me Ishujt Faroe. Kuqezinjtë prej dy ditësh ndodhen në Torshan, ndërsa kanë zhvilluar dhe konferencën e fundit për shtyp.

 

Për trajnerin e kuqezinjve, Sylvinho, ndeshja do të jetë më e vështirë se ajo me Moldavinë, ndërsa grupi nuk ka eufori.

 

“Ndeshja me Ishujt Faroe është diçka krejt ndryshe nga ajo me Moldavinë. Është një ndeshje shumë e vështirë. Mendoj që euforia nuk ka vend në skuadër sepse ndeshja me Moldavinë ka mbaruar për ne. Morëm 3 pikët, një ndeshje shumë e vështirë, por tashmë e kemi mbyllur atë kapitull. Kemi përpara gjashtë ndeshje të vështira, 6 finale. Ndaj Ishujve Faroe kemi një ndeshje të fortë”, tha Sylvinho.

 

I pranishëm në konferencë ishte dhe mesfushori Ylber Ramadani, i cili beson se skuadra do të marrë 3 pikët.

 

“Duhet të përshtatemi që në momentin e parë në fushë, deri në momentin e fundit. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, shumë e fortë fizikisht. Nuk ka më ndeshje të lehta dhe jemi përgatitur të përballemi me një kundërshtar shumë të fortë”, tha Ramadani.

 

Më tej messushori shton se e njeh mjaft mirë kundërshtarin.

 

“E njoh shumë mirë, pasi kam jetuar për katër vite në Danimarkë. Kam një shok që luan aty, nuk janë ekip i lehtë. Ata do mundohen të na e bëjnë jetën të vështirë. E njoh më mirë se sa e mendoni Ishujt Faroe”, tha ai.

 

Aktualisht Ishujt Faroe kanë vetëm 1 pikë në këtë rrugëtim drejt Euro 2024, ndërsa kuqezinjtë në rast fitore do të afroheshin më tepër me kreun.