Kombëtarja ka fituar 3-0 mbrëmjen e sotme në miqësoren që po luan ndaj Lihtenshtajnit në stadiumin “Haladas Sportkomplex” të Hungarisë.
Golat për Kombëtaren u shënuan nga Armando Broja në pjesën e parë dhe Jasir Asani e Ernest Muçi në të dytën.
Trajneri Silvinjo zbriti në fushë me Berishën në portë, ndërsa në mbrojtje, nga e djathta Ivan Balliu, në qendër, Blerim Ismajli dhe Arlind Ajeti dhe në të majtë Mario Mitaj.
Në mesfushë Kombëtarja zbriti me Kristjan Asllanin, Klaus Gjasulën dhe Nedim Bajramin.
Në majë të sulmit luajti Armando Broja, i mbështetur nga Jasir Asani në krahun e djathtë dhe Arbër Hoxha në krahun e majtë.
Ndërsa trajneri i Lihtenshtajnit, Konrad Fünfstück ka përzgjedhur formacionin me Justin Ospelt në portë, Max Göppel, Niklas Beck, Marcel Büchel, Aron Sele, Ferhat Saglam, Kenny Kindle, Livio Meier, Simon Lüchinger, Sandro Wolfinger, Jonas Beck.
Kombëtarja e nisi mirë takimin teksa në minutën e 22-të Bajrami tentoi nga goditja e dënimit, por topi u ndal në mur.
Ndërsa në minutën e 28-të Asani ishte pranë, por sulmuesi kuqezi nuk u tregua i saktë, dhe devijoi portieri Ospelt.
Në minutën e 31-të vjen goli i Armando Brojës. Pas një goditje dënimi të ekzekutuar shpejt, Broja gjen mbrojtjen të pavendosur dhe shënon në portën kundërshtare.
Pjesë e dytë, Kombëtarja e ka nisur fuqishëm, duke shënuar që në minutën e 47-të me anë të Jasir Asanit, i cili ka ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi dhe dyfishon shifrat.
Ndërsa në minutën e 67-të Kombëtarja ka shënuar golin e 3-të. Bajrami ka nisur Laçin nga e majta, pasimi i tij në qendër gjen Asanin, i cili goditi shtyllën e pastaj topi shkoi tek Muçi, i cili gjuajti me portën bosh dhe thelloi diferencën.
Shqipëria do të luajë edhe një tjetër ndeshje miqësore para finaleve të “Euro 2024”. Kuqezinjtë do të përballen me Azerbajxhanin më datë 7 qershor në orën 19:00, sërish në stadiumin “Haladas Sportkomplex”./ata