Sulmuesi i Kombëtares Jasir Asani ka shënuar mbrëmjen e sotme një tjetër gol spektakolar në fitoren 3-0 ndaj Lihtenshtajnit.

Ai arriti të shndërrojë në gol një ekzekutim perfekt të goditjes së dënimit.

Pas ndeshjes, në një prononcim për mediet ai tha se, skuadra po punon shumë për të bërë një përfaqësim mjaft të mirë në Gjermani.

Ai tha se periudha në klub nuk e ka ndihmuar, ndërsa stafi teknik i Kombëtares e ka ndihmuar shumë.

“Klubi nuk më ka ndihmuar, por stafi teknik dhe të gjithë futbollistët këtu më kanë ndihmuar shumë. Te klubi nuk kam marrë minuta, por jam stërvitur shumë dhe po vazhdoj të punoj për të bërë një paraqitje sa më të mirë në Kampionatin Europian”, tha Asani.

“Çdo ndeshje është e vështirë, qoftë edhe miqësore. Ne i vlerësojmë të gjitha njësoj dhe futemi në fushë për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të fitojmë. Fitoret në këto miqësore na rrisin vetëbesimin për të shkuar drejt Gjermanisë me mentalitet fituesi”, u shpreh ai.

Për goditjet e dënimit, Asani theksoi se është vendim i trajnerit se kush do t’i ekzekutojë.

“Kushdo që i ekzekuton, unë, Bajrami apo ndonjë tjetër, punojmë shumë për të nxjerrë më të mirën. Kemi grup shumë të vështirë dhe po përgatitemi shumë, ndaj besoj se do të bëjmë gjëra të mira”, theksoi Asani.

Për marrëdhënien në sulm me Brojën dhe ndeshjet në Europian, ai tha se, “çdo ndeshje na rrit vetëbesimin, pasi na pret një ndeshje shumë e madhe ndaj Italisë. Formacionin e vendos stafi, por kushdo që zbret në fushë, ne do të jemi të gjithë një. Kjo është fanellë shumë e rëndë dhe jemi gati të japim maksimumin për fitore”./ata