Trajneri i Kombëtares, Silvinjo u shpreh sot se mori përgjigjet e duhura nga futbollistët në miqësoren e fituar 3-0 ndaj Lihtenshtajnit.
I pyetur nga mediet për grupin e futbollistëve në dispozicion, Silvinjo tha se, “mora përgjigjet e duhura. Ata janë të karikuar dhe po punojnë shumë. Sot kanë bërë shumë mirë të gjithë. Kanë bërë një punë shumë të mirë”.
Për gjendjen e Brojës dhe Asanit, të cilët kanë luajtur pak muajt e fundit me ekipin e tyre, Silvinjo tha se, “të gjithë që kanë ardhur këtu, janë të përgatitur dhe gati për të luajtur në Europian. Jo vetëm Broja dhe Asani, por edhe të tjerë nuk kanë luajtur shumë. Një ndër ta ishte Ajeti, që nuk luante prej tre muajsh, por sot qëndroi në fushë 60 minuta. Sot donim t’u jepnim më shumë minuta lojtarëve që kanë luajtur më pak këto kohë”.
Për lojtarët që pritet të jenë në formacionin titullar, Silvinjo tha se, “ne praktikisht kemi ardhur këtu me dy grupe të ndryshme. Abrashi ka luajtur një ditë e gjysmë më parë, Gjimshiti erdhi sot, Seferi bëri një udhëtim të gjatë. Ramadani kishte një problem shëndetësor me Leçen një muaj më parë, janë lojtarë që kanë bërë shumë ndeshje, ndaj ishin jashtë. Të tjerët që luajtën më pak, që ishin me disa ditë stërvitje, i hodhëm në fushë”.
“Për fat të keq kemi vetëm 6 zëvendësime, deshëm të bënim 2-3 zëvendësime më shumë, por për shkak të rregullores së UEFA-s nuk mundnim”, tha Silvinjo pas ndeshjes./ata