Normat relativisht të ulëta të interesit për kredi, po rrisin interesin e qytetarëve, por edhe të shumë blerësve jorezidentë, drejt investimeve në pasuri të paluajtshme. Ndërkohë që bumi i turizmit në vitet e fundit ka shtuar kërkesën për blerje të pronave në bregdet, me qëllim investimi për qiradhënien e tyre ditore te turistët e huaj.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, sektori bankar gjatë 4-mujorit të parë të këtij viti disbursoi, 17.9 miliardë lekë kredi për shtëpi, me rritje 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas BSH-së, portofoli aktiv i kredisë për blerjen e banesave ka arritur vlerën pothuajse 190 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 10.6%. Ky portofol përbën tashmë rreth 26% të kredisë totale për ekonominë shqiptare.
Rritja e kredisë për shtëpi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt monedhës vendase. 72% e kredisë për shtëpi të dhënë gjatë muajve të parë të këtij viti ishte në monedhën vendase.
Sipas indeksit Fischer të llogaritur me frekuencë 6-mujore nga Banka e Shqipërisë, çmimet e banesave në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar pësuan rënie me 7.6% krahasuar me gjysmën e parë të vitit. Megjithatë, me bazë vjetore çmimet rezultuan ende në rritje, por shkalla e rritjes vjetore u ngadalësua në 3.2%, nga 16.6% që kishte qenë rritja e tyre vjetore në fund të vitit 2022./ata