Operatorët turistikë në Pogradec për këtë vit kanë nënshkruar kontrata të përbashkëta bashkëpunimi me tur-operatorët në shtetin fqinj Greqi për të sjellë mbi 10 mijë vizitorë, kryesisht nga Gjermania. Drejtori i turizmit në Bashkinë Pogradec, Ledion Zeqollari ka thënë për SCAN tv se janë rritur netë qëndrimet kjo falë rritjes së kapaciteteve akomoduese dhe cilësisë së shërbimeve.

“Atraksionet kryesore janë Bazilika e Linit, e cila ka dhe numrin më të lartë të vizitorëve. Zbulimi i palafiteve sigurisht që ka rritur interesin. Paketat janë nga 1-5 ditore duke e shtrirë vizitueshmërinë pothuajse në të gjithë rajonin”- ka thënë Zeqollari.

Samanta Kastrioti, menaxhere e sektorit të hotelerisë, ka thënë se është rritur interesi i të hujave për rezervime, ku paketat e ofruara janë të shumta. Vetëm gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, Pogradeci është vizituar nga më shumë se 18 mijë turistë, të cilët kanë qëndruar më shumë se 1 natë.

“Parashikohet që këtë verë apo gjatë gjithë vitit, të sjellim 10 mijë pushues gjermanë dhe këta jo vetëm për një natë. Interesi ka qënë i lartë për rezervime në hotele”- ka thënë Kastrioti.

Fshati turistik i Linit me vendbanimin 8 mijë vjeçar, është ndër destinacionet më të preferuara nga turistët.

“Është shumë bukur, Pogradeci është qytet interesant. Vijmë nga turi që bëmë në Gjirokastër, Berat, Sarandë etj. Vizituam shumë pika të bukura”- thotë një turiste.

“Shqipëria është shumë e bukur. Vizituam Gjirokastrën dhe disa qytete të tjera. Në Pogradec do të rrimë 2 ditë, më pas do të shkojmë në Strugë. Soit jemi në Lin, në këtë gadishull të vogël në brigjet perëndimore të Ohrit, jemi impresionuar me gjithçka”- shton një tjetër turist.

Në ditët e fundit të paketave turistike, grupeve j’u ofrohet edhe nata folklorike me repertor të zgjedhur nga Qarku Korçë, por dhe zonat e tjera të vendit./Tema