Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se 7 mijë deri në 11 mijë pacientë palestinezë kanë nevojë për evakuim të menjëhershëm për shkaqe shëndetësore.

Shifra u dha nga Hanan Balkhy, drejtoresha rajonale e OBSH-së për Mesdheun Lindor, në një takim në Gjenevë me Shoqatën e Korrespondentëve të Akredituar në Kombet e Bashkuara.
Balkhy tha se ata pacientë që kanë nevojë për evakuim duhet të marrin trajtim në spitale të specializuara. Ajo nënvizoi efektet "e rëndësishme" anësore në Egjipt, Liban dhe Siri, si fqinjët e afërt të Territorit Palestinez të pushtuar.


"Nëse po flisni për të mos lënë askënd pas, ne tashmë po lëmë pas një numër të konsiderueshëm nga Gaza, por gjithashtu, ka presion mbi sistemet tashmë të brishta shëndetësore në vendet fqinje", tha ajo dhe shtoi: "Pra, ne kemi shumë punë përpara nesh".


Balkhy theksoi nevojën për të arritur paqe, duke shtuar se në të kundërtën, do të jetë një situatë jashtëzakonisht sfiduese. Javën e kaluar, OBSH-ja tha se të gjitha evakuimet mjekësore nga Gaza janë nën "ndalim të menjëhershëm" që nga 7 maji.

Izraeli vazhdon ofensivën brutale ushtarake në Gaza pas inkursionit të Hamasit më 7 tetor, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.

Më shumë se 36.500 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërmuese e të cilëve gra dhe fëmijë si dhe pothuajse 83 mijë të tjerë janë plagosur. Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet në qytetin Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kërkuan strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa