Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve të Pafajshëm si Viktimave të Agresionit, presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, i ka bërë thirrje komunitetit global që të mbrojë “nderin dhe dinjitetin, si dhe fëmijët e Gazës”.
“U bëj thirrje të gjitha shteteve që të mbrojnë nderin dhe dinjitetin e njerëzimit, fëmijët e Gazës, si dhe të mbajnë një qëndrim të qartë kundër barbarizmit izraelit jashtë kontrollit”, shkroi presidenti Erdoğan në platformën sociale X.
“E ftoj OKB-në, që shpallën këtë ditë të veçantë, të ndërmarrin një hap konkret kundër masakrës së fëmijëve të pafajshëm në Gaza me bomba për muaj të tërë, si dhe të ndërmarrin veprime me mirëkuptimin se bota është më e madhe se pesë”, theksoi ai, duke iu referuar pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kanë të drejtën e vetos.
Më tej, ai tha se në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve të Pafajshëm si Viktimave të Agresionit kujton “me pikëllim më shumë se 15 mijë fëmijët që janë vrarë barbarisht në Gaza që nga 7 tetori”.
“Nuk janë vetëm fëmijët dhe foshnjat që vriten në Gaza, por gjithashtu njerëzimi. Fatkeqësisht, bota dështoi në këtë test”, tha ai.
Presidenti turk gjithashtu theksoi se Türkiye “do të vazhdojë t’u shtrijë dorën” njerëzve të shtypur në mbarë botën, “veçanërisht në Gaza”.
“Kudo që vriten fëmijët, kudo që ata i nënshtrohen urisë dhe varfërisë, ne do të vazhdojmë t’u shtrijmë dorën dhe të punojmë fort me besimin se një botë më e drejtë është e mundur”, theksoi Erdoğan.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit tetorin e kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm. Të paktën 36.500 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, si dhe rreth 83 mijë të tjerë janë plagosur.
Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim./aa