Raportohet se qeveria izraelite ka udhëzuar ushtrinë izraelite, e cila po zhvillon një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës, të rrisë dhunën.

Sipas lajmeve të "Walla News" në Izrael, kabineti i politikës dhe sigurisë në qeveri së fundi udhëzoi ushtrinë që të rrisë intensitetin e luftës në Rripin e Gazës në mënyrë që të forcojë pozicionin e Izraelit në negociatat për armëpushim.

Ndërkohë që asnjë deklaratë zyrtare nuk është bërë ende nga autoritetet izraelite, sulmet e ushtrisë izraelite, veçanërisht në jug të Rripit të Gazës, vazhdojnë të rriten, duke shkaktuar shkatërrime të gjera, si dhe vdekje dhe plagosje të qindra palestinezëve.

- Dënim nga Hamasi

Nga ana tjetër, Hamasi dënoi vendimin e Izraelit për të rritur intensitetin e përleshjeve në Rripin e Gazës në mënyrë që të forcojë pozicionin e tij në negociatat për armëpushimin dhe shkëmbimin e të burgosurve.

Izzat Er-Rishk, anëtar i Byrosë Politike të Hamasit, në deklaratën e tij me shkrim tha: "Ky vendim është një tregues i ri-intensifikimit të sulmeve fashiste kundër popullit tonë në Rripin e Gazës dhe këmbënguljes së tyre në brutalitetin e tyre në shënjestrimin e civilëve të pambrojtur".

Rishk theksoi mbështetjen e SHBA-së për Izraelin dhe papërgjegjshmërinë e heshtur të botës përballë kësaj lufte gjenocidale dhe tha: "Ky vendim ballafaqon të gjithë botën me realitetin e këtij regjimi vrasës sionist-nazist (Izraelit) që është i etur për vrasje dhe terror".

Në deklaratën e tij me shkrim dje, Hamasi njoftoi se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vënë pengesa në rrugën e armëpushimit në Gaza dhe në marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve.

Negociatat mes Izraelit dhe Hamasit, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari, për vendosjen e armëpushimit në Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve, u mbajtën në Doha më 15-16 gusht.

Delegacionet e kryesuara nga kryeministri i Katarit dhe ministri i Punëve të Jashtme, Sheikh Mohammed bin Abdurrahman Al Thani, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së (CIA) Bill Burns, drejtori i inteligjencës egjiptiane, Abbas Kamil dhe drejtori i Mossad-it, David Barnea morën pjesë në negociatat në Doha, dhe deklaruan se kishin shkuan "mirë".

Zyrtarë të lartë të Hamasit theksuan për kanalin televiziv Al Jazeera se çështjet për të cilat është rënë dakord në propozimin e shpallur nga presidenti amerikan, Joe Biden, më 2 korrik nuk janë përfshirë në rezultatin e negociatave në Doha.

Sipas informacionit të marrë nga burime palestineze, rezultati i takimit në Doha nuk përfshin artikuj në lidhje me Korridorin Netzarim, i cili e ndan Gazën në dysh dhe Korridorin e Philadelphia, që kufizohet me Rripin e Gazës dhe Egjiptin./aa