Shqipëria e vajzave fitoi edhe ndeshjen e fundit kualifikuese ndaj Luksemburgut me rezultatin 3-1, duke siguruar vendin e parë në grupi C5 me 9 pikë në total.
Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena” golat e fitores i shënuan kapitenia Megi Doçi dhe sulmueset Qëndresa Krasniqi e Fortesa Berisha. Kjo fitore i ngjit vajzat kuqezi në Ligën B në Nations League dhe përfaqësuesja kuqezi do të luajë edhe në play-off-in e kualifikueseve të Kampionatit Europian “Zvicër 2025”.
Trajneri Grima hodhi në fushë këtë 11-she titullare ndaj Luksemburgut me Viona Rexhepi (GK), Lucije Gjini, Alma Hilaj, Sara Maliqi, Arbenita Curraj, Fortesa Berisha, Ezmeralda Franja, Gresa Berisha, Qendresa Krasniqi, Megi Doci (c), Kristina Maksuti.
Pjesa e parë u dominua totalisht nga vajzat kuqezi, të cilat krijuan disa raste shumë të mira për avantazh me Fortesa Berishën, Megi Doçin e Qëndresa Krasniqin. Goli i parë erdhi nga kapitenia Doçi, e cila ekzekutoi në mënyrë të saktë një penallti të akorduar nga gjyqtarja kryesore. Mesfushorja kuqezi kaloi në avantazh skuadrën në minutën e 29-të ndërsa shifrat i dyfishoi Qëndresa Krasniqi në minutën e 47-të të takimit, e cila asistohet mjaft bukur nga Gjini. Krasniqi hyn brenda zonës, driblon portieren dhe dyfishon rezultatin. 2-0 për Shqipërinë, që futet në avantazh në dhomat e zhveshjes.
Fraksioni i dytë i lojës nis me gol për Shqipërinë, me Fortesa Berishën që trefishon shifrat për kuqezezat në minutën e 46-të. Kombëtarja është dominuese edhe në këtë pjesë të dytë ndaj Luksemburgut, duke kontrolluar topin dhe duke krijuar shumë raste, por pa i finalizuar. Trajneri Grima bën një rifreskim të skuadrës në minutën e 88-të, duke hedhur në fushë Lufon, Pacarizin, Ndojn dhe Tukajn, në vend të Maksutit, Berishës, Krasniqit dhe Sara Maliqit. Luksemburgu shënon golin e nderit në minutën e 91-të, duke i çuar shifrat në 3-1. Grima bën edhe zëvendësimin e fundit me Klesta Agon në vend të Fortesa Berishës.
Ndeshja mbyllet me rezultatin 3-1, një rezultat shumë i mirë, që i jep mundësinë Kombëtares së vajzave të ngjitet në Ligën B për edicionin e radhës të Nations League, ndërsa do të luajë edhe në raundin e parë të play-off për një vend në Kampionatin Europian për vajza “Zvicër 2025” ku do të përballet me një nga katër skuadrat e vendin të tretë ose të katërt të çdo grupi në Ligën A./ata