Me përvojën e 33 viteve pune në bletari dhe me mbështetjen e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ferdinand Muskaj ka arritur të ndërtojë dy parqe bletësh në Apoloni.
AZHBR ndau në rrjete sociale shembullin e Ferdinandit, i cili që prej vitit 1991 ndërtoi parkun e parë të bletëve, një aktivitet i nxitur nga pasioni dhe që vijoi me përkushtimin e përditshëm në kujdesin ndaj tyre.
Sot ai ka dy parqe bletësh, njëri prej të cilëve është i vendosur në natyrën shumëngjyrëshe pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë, ku arrin të mbledhë mjaltë cilësor, propolis, por edhe qumështin e bletës.
Ferdinandi është një ndër fermerët e kualifikuar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2024, për masën e mbarështimit të bletarisë dhe në të ardhmen, nisur nga numri i lartë i vizitorëve, synon zgjerimin e mëtejshëm të aktivitetit me ndërtimin e një agroturizmi në këtë zonë.
AZHBR përmes Skemës Kombëtare synon të mbështesë të gjithë bletarët në rritjen e sasisë, cilësisë dhe lehtësimin e kostove gjatë prodhimit./ata