40 ekspertë nga Organizata Botërore e Ushqimit (FAO), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit, përfaqësues nga bashki të ndryshme, donatorë dhe partnerë zbatues, diskutuan në Tropojë për krijimin e zinxhirit të qëndrueshëm të vlerave të gështenjës në Shqipëri dhe Kosovë.
Prezantimet shkencore nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas, vizitat në terren në pyjet e gështenjave dhe në laboratorin e sapokrijuar për kontrollin e dëmtuesve, të shoqëruar nga ekipi i FAO-s dhe studiues të njohur shkencorë, udhëhoqën audiencën përmes ndikimit dhe vizionit të projektit.
Dita e dytë e punimeve të këtij takimi, nxiti diskutimet në grup të fokusuara në trajtimin e sëmundjeve të gështenjës dhe ndërtimin e bashkëpunimit me homologët kosovarë. Pjesëmarrësit patën mundësinë të vizitojnë edhe fshatin Markaj, ku vëzhguan lëshimin në veprim të agjentëve të kontrollit biologjik dhe praktikat e avancuara të silvikulturës, për mbrojtjen e gështenjës.
Në një njoftim për media FAO, bëri të ditur se, “takimi në nivel ekspertësh ofroi njohuri të vlefshme dhe demonstrime praktike dhe gjithashtu promovoi bashkëpunimin ndërkufitar dhe teknika inovative”.
Zona malore e Tropojës, ka mbi 2000 hektarë masiv pyjor gështenjash dhe 70 % e banorëve të zonë sigurojnë të ardhura ekonomike nga ky produkt.
Projekti “Zhvillimi i qëndrueshëm i zinxhirit të vlerës së gështenjës” do të zgjasë deri në vitin 2025. Nisma synon rigjallërimin e zinxhirit të vlerës së gështenjës, duke përfshirë prodhimin, përpunimin dhe tregtimin e gështenjës, me në fokus zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara dhe pozicionimin e produkteve të gështenjës në tregun rajonal./ata