Konferenca e Rrjetit Parlamentar “Women free from Violence”,  bashkëorganizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, vijoi ditën e dytë të punimeve sot në Tiranë.
 

E pranishme në këtë aktivitet bashkëshortja e Kryeministrit të vendit, Linda Rama, në fjalën e saj solli një panoramë të situatës në Shqipëri shumë vite më parë dhe të asaj të sotme përsa i takon hendekut gjinor.

“33 vite më parë kur vendi doli nga izolimi komunist ishte një vend i zymtë kaotik, sa  shpresëplot aq dhe i paorientuar në hapësirë dhe kohë. Vajzat dhe gratë u gjendën pa pritur në spiralen e një vorbulle të paimagjinueshme, përmasa e sfidave dhe asaj vorbulle ishin të pashpjegueshme të kërcënuara masivisht nga boshllëku i pamundësisë, zbulimi i varfërisë eksteme, mbizotërimi i partiakalizimit të kahershëm, mungesa e rendit publik, presioni i emigracionit ilegal, trafikimi dhe prostitucioni i mishit të bardhë, një hapësirë ku të drejtat dukeshin utopi dhe një kohë kur shteti dukej pa kokë, gratë dhe vajzat nuk figuronin në asnjë pikë të interesave statistikore, përveç se tek lindjet, vdekjet, martesat dhe divorcet”, tha Rama.

Sipas saj, sot realiteti është i pakrahasueshëm.

“Shoqëria civile ia doli të nxisë me qëndrueshmërinë e saj një rritje të dëgjueshmërisë mbi atë anë vulnerabël brenda vorbullës ku kaloi ajo pjesë e tranzicionit. Ajo masë aktive krijoi cilësi me pak sasi duke ndikuar axhendën ligjore në dobi të gruas dhe jetësimin e modeleve të para të shërbimeve për vajza dhe për gratë në nevojë.

Shteti filloi të krijojë një kornizë të qëndrueshme ligjore në mbështetje të grave dhe vajzave duke krijuar dhe permisën e integrimit gjinor për t’u bërë këmbëngulës në objektivat me natyrë gjinore. Mbi të gjitha janë vetë gratë që ja dolën që të bëjnë një realitet të jashtëzakonshëm kontribues dhe një gjenerator emancipimi”, u shpreh ajo.

Gjatë fjalës së saj, Linda Rama ndau shqetësimin që vjen nga përdorimi i rrjeteve sociale dhe gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore.

“Një dhunë tjetër, dhuna online është shfaqur në jetën tonë si një e përditshme që shtrin zotërimet e saj në territore të reja brenda nesh, mes nesh, duke krijuar rrathë të rinj, të cilët po aq sa i shumfishojnë, aq dhe e ngushtojnë hapësirën e lirisë së njeriut që praktikisht nuk mbaron më aty ku fillon liria e tjetrit”, tha Rama.

“Më lejoni të dal tek shqetësimi: Në rrugëtimin e nisur në vitet ’90, ne e dinim kush ishin dhunuesit, shantazhuesit, pësuam, mësuam dhe u fuqizuam në përballjen me to, si ne dhe shteti. Kjo mbetet përballë një kërcënimi të ri që në momentin që në jetën tonë u shfaq Facebook, Youtube dhe më tej TikTok, një botë në një korsi paralele me botën përballë tyre, ku mua më duket se kjo botë nuk ndahet më në një botë me vende të zhvilluara dhe në zhvillim.

Dhuna në familje vijon të jetë një plagë për shumë vajza dhe gra në një shoqëri që jeton ende në kornizat e steriotipeve të së kaluarës dhe problematikave sociale dhe ekomonike, një dhunë tjetër, dhuna online është shfaqur në jetën tonë si një e përditshme që shtrin zotërimet e saj në territore të reja brenda nesh, mes nesh, duke krijuar rrathë të rinj, të cilët po aq sa i shumfishojnë, aq dhe e ngushtojnë hapësirën e lirisë së njeriut që praktikisht nuk mbaron më aty ku fillon liria e tjetrit.

Më së shumti në shënjestër të gjuhës së urrejtjes është gjinia. Gjuha e urrejtjes kryesisht buron nga vetë media, gazetarë dhe analistë, por nga raste sporadike edhe nga politikanë, artistë, intelektualë, pedagogë, persona të famshëm dhe me ndikim në publik që bëjnë gjyqin ndaj të tjerëve, duke drejtuar gishtin nga ata, por kurrë nga vetja, pa u kundërshtuar nga intervistuesit.

Më duket se çdo ditë që kalon, unë si nënë jam më e paaftë për të mbrojtur djalin tim 10-vjeçar nga rreziku që kërcënon përditë fëmijët, vajzat dhe gratë. Ne me siguri nuk do të gjejmë dot përgjigjen që na qetëson. Ne jemi mbledhur me dëshirën për të ndarë frikërat, është një ushqim për shpresën se përgjigja do të gjendet, madje shpejt”, deklaroi Linda Rama.

Ajo apeloi për më shumë angazhim ndaj rrezikut digjital dhe dhunës online ndaj grave dhe vajzave./ata