Këshilli i Ministrave emëroi të mërkurën Ceno Klosin në detyrën e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Klosi ushtroi detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve që prej tetorit të vitit 2021.
Në mbledhjen e sotme qeveria emëroi Dorian Tolën në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.
Dorian Tola më herët ka mbajtur postin e Drejtorit tëi Përgjithshëm i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Para këtij funksioni, ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura, ku ka kryer detyra që lidhen kryesisht me planëzimin afatgjatë të Forcës Detare dhe bashkëpunimin ushtarak me NATO-n.
Në periudhën 2012-2015 ka kryer detyrën e Shefit të Zyrës së Komandantit të Forcës Detare. Tola më pas është caktuar Koordinator i Mbrojtjes në Zyrën Operacionale të Situatës (ZOS) në Kryeministri, ku u angazhua për ngritjen e Sistemit të Integruar të Informacionit Statistikor të Këshillit të Ministrave dhe analizimin e informacionit për emergjencat civile dhe krizat.
Dorian Tola është diplomuar në degën Inxhinieri Elektrike dhe Elektronike në Akademinë e Detarisë në Turqi dhe në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ka përfunduar studimet master në “Çështjet e sigurisë kombëtare” në NPS, Kaliforni, SHBA dhe Master Shkencor “E Drejtë penale” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.
Po ashtu u miratua vendimi për shkarkimin nga detyra të zv/ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Vjollca Braho. Në vend të saj qeveria emëroi Niko Hysën./ata