Përfaqësuesit e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri patën sot një takim me përfaqësues nga prokuroria, policia, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Gjykata Administrative, si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, që financohet nga Norvegjia, Franca dhe Italia.

Në takim u paraqit drafti i një udhëzuesi ligjor për krimet mjedisore në Shqipëri, hartuar për të ndihmuar profesionistët e ligjit, inspektorët, prokurorët dhe gjykatësit në trajtimin e rasteve të tilla.

Udhëzuesi u mirëprit nga pjesëmarrësit si një mjet shumë i vlefshëm në punën e tyre të përditshme.

Diskutimet u përqendruan te veprimtaritë kryesore të projektit, gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, ku përfshihen: dy trajnime të përbashkëta për 37 oficerë policie, prokurorë dhe inspektorë mjedisorë; një konferencë gjyqësore kombëtare me Shkollën e Magjistraturës, me 70 pjesëmarrës; hartimi i udhëzuesit ligjor dhe i një manuali trajnimi, si edhe zhvillimi i një sondazhi për perceptimin e publikut.

Gjithashtu u paraqit edhe plani i veprimit për periudhën korrik-dhjetor 2024, ku fokusi do të jetë te fushatat ndërgjegjësuese specifike me institucionet, të rinjtë, shkollat dhe organizatat civile për qeverisjen dhe sigurinë mjedisore./ata