Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bën me dije se përgatitjet për turizëm të sigurt gjatë sezonit veror vijojnë nga të gjitha strukturat e ngarkuara për mbarëvajtjen e tij.

Kumbaro në një postim në rrjetet sociale tha se “u mbajt takimi i grupit të Taskforcës duke bërë bashkë Prefekturën e Durrësit, Policinë Kufitare dhe Emigracionit, Policinë Bashkiake dhe përfaqësues të Agjencisë Rajonale të Bregdetit Durrës për monitorimin e operatorëve të turizmit detar që operojnë në plazhin e madh Durrës për sezonin turistik veror 2024”.

“Gjithashtu Agjencia Kombëtare e Bregdetit përmes Agjencive Rajonale të Bregdetit të Sarandës, Vlorës, Durrësit e Lezhës ka kryer monitorime tek subjektet që ushtrojnë aktivitetin si stacion plazhi me qëllim informimin për plotësimin e kushteve të sigurisë që nga prezenca e kullave të vrojtimit deri tek sinjalistika për sigurinë në plazhe”, tha Kumbaro.

Në të gjitha bashkitë bregdetare vijojnë përgatitjet për sezonin turistik, për t’u ofruar turistëve vendas e të huaj, mjedise të pastra dhe shërbime me standardet më të mira./ata