Kancelari Olaf Scholz njoftoi se Gjermania do të porosisë 20 avionë shtesë "Eurofighter" për forcat e saj ajrore dhe për të përmirësuar aftësitë e saj.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së ekspozitës tregtare të hapësirës ajrore ILA në Berlin, Scholz tha se qeveria ka filluar prokurimet e reja të mbrojtjes për të adresuar sfidat e reja të sigurisë pas fillimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.

"Ne do të porosisim edhe 20 avionë të tjerë Eurofighter gjatë kësaj periudhe legjislative, përveç 38 avionëve që janë aktualisht në prokurim. Ne jemi të përkushtuar për perspektiva të mëtejshme për 'Eurofighter', përfshirë edhe aspektin e eksportit", tha ai.

Avionët luftarakë "Eurofighter" prodhohen bashkërisht nga Gjermania, Britania e Madhe, Spanja dhe Italia në një konsorcium. Ato mund të përdoren në rolet e mbrojtjes ajrore si dhe në rolet e sulmit ajror. Forcat Ajrore Gjermane aktualisht kanë rreth 138 "Eurofighters" në shërbim./aa