Ministria e Shëndetësisë anulon dy tendera, në vlerë afro 100 milion euro, për blerje barnash, kryesisht ato që përdoren në sistemet e anestezi -reanimacionit, me vlerë 36 milionë euro, me afat kohor për një vit.
Tenderi tjetër ka të bëjë me blerje barnash antiinfektive në një vlerë prej 61 milionë euro. Të dy tenderat bëhen për shuma të konsiderueshme, pasi bëhen për të gjithë spitalet madje për disa nga e nga lotët thuhet se janë tenderuar në një vlerë më shumë se sa fondi limit. Në dokumenta të publikuara nga Agjensia e Prokurimeve Publike, shkruhet gjithashtu se këto tendera anulohen për shkak të gabimeve materiale në të dhënat e loteve.
Të dy këto procedura janë anuluar ne datën 28 maj dhe behët fjalë për mangësi të rëndësishme në dokumentacionet e paraqitura. Top Channel kontaktoi Ministrinë e Shëndetësisë për të mësuar mbi këtë tërheqje nga dy tendera të rëndësishme. Burime të sigurta thanë se MSHMS nuk ka anuluar dy tendera barnash, por ka tërhequr disa lote, të cilat i përkasin këtyre tenderave.
Siç parashikohet dhe nga legjislacioni ne fuqi, thonë burimet, është ndërprerë procedura e prokurimit për këto lote, me qëllim korrigjimin dhe saktësimin e gabimeve materiale. Sipas tyre, gabimi konsistonte ne saktësimin e sasive, të cilat kishin prekur fondin limit dhe se ky fond do të ulet në vlerë.
Lotet e korrigjuara do të rishpallen në një procedure te re prokurimi. Madje një procedurë, e cila ka të bëjë me furnizimin e maternitetit Koco Gliozheni, me materiale të sistemit anestezi reanimacion është rishpallur në datën 3 qershor, ndërkohë që po punohen për korrigjimin e gabime në lotet e tjera, të cilat me gjasë do të rishpallen në datën 20 qershor./TopChannel