Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor informoi sot se nga 288 riregjistrime pas humbjes së të gjithë pikëve të lejedrejtimit, vetëm 30 veta e kanë rifituar atë, ose 10.4%.

 

Sipas njoftimit për shtyp të DPSHTRR-së, vetëm 2 kanë kaluar në testin e rimarrjes së lejedrejtimit, në seancën e 15-të të ritestimit që nga zbatimi i dispozitës së re shtrënguese me rikthim në Autoshkollë (6 Qershor 2022), nga 26 kandidatë për këtë seancë.

 

DPSHTRR thekson se s’ka shpëtim përveç riedukimit për ata që konsiderohen kontigjent shkelësish të rëndë të rregullave të qarkullimit, përsëritës në sjellje që rrezikojnë ata vetë dhe të tjerët në rrugë, që me aktet e reja në fuqi për të rifituar të drejtën e patentës duhet të regjistrohen nga e para në Autoshkollë e t’i rinënshtrohen testit teori-praktikë!

 

Gjithashtu DPSHTRR këshillon drejtuesit e mjeteve të respektojnë normat e qarkullimit rrugor sepse nëse do t’i humbni të gjitha pikët, do të riktheheni në Autoshkollë dhe më pas nën monitorim të rreptë do të rifitoni patentën vetëm nëse nuk keni mbi 3 gabime në pyetësorin e Normave të Sjelljes me 30 fjali, si edhe nëse kaloni në testin e praktikës, të dyja testet nën e-Monitorim./ATSH