Këshilli i Ministrave miratoi sot emërimin e Dorian Tolës në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe vjen pas propozimit të Kryeministrit, në mbështetje të Kushtetutës dhe të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”.
‘Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave. V E N D O S I: Z. Dorian Tola emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.’- thuhet në vendim.
Dorian Tola ka mbajtur detyrën e kreut të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK).
Para këtij funksioni, ai ka shërbyer në Forcat e Armatosura, ku ka kryer detyra që lidhen kryesisht me planëzimin afatgjatë të Forcës Detare dhe bashkëpunimin ushtarak me NATO-n.
Në periudhën 2012-2015 ka kryer detyrën e Shefit të Zyrës së Komandantit të Forcës Detare. Tola më pas është caktuar Koordinator i Mbrojtjes në Zyrën Operacionale të Situatës (ZOS) në Kryeministri, ku u angazhua për ngritjen e Sistemit të Integruar të Informacionit Statistikor të Këshillit të Ministrave dhe analizimin e informacionit për emergjencat civile dhe krizat.
Dorian Tola është diplomuar në degën Inxhinieri Elektrike dhe Elektronike në Akademinë e Detarisë në Turqi dhe në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ka përfunduar studimet Master në “Çështjet e Sigurisë Kombëtare” në NPS, Kaliforni, SHBA dhe Master Shkencor “E Drejtë Penale” në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës./SyriNet