Në Tushemisht të Pogradecit po vijon puna për pastrimin e bregut nga inertet pas prishjeve të urave dhe mureve rrethues që ishin ndërtuar shumë vite më parë dhe prishnin imazhin e kësaj pjesë të liqenit.
Bashkia Pogradec ndau në rrjete sociale momente nga punimet që po kryen në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik ku këtë vit numri i vizitorëve pritet të jetë edhe më i lartë se ai që shënoi viti i kaluar.
Paralelisht me sistemimin dhe pastrimin e vijës liqenore bashkia Pogradec ka hapur një rrugë e re, në mirëkuptim edhe me banorët e cila do të mundësojë lëvizjen e pushuesve dhe banorëve drejt liqenit.
Tushemishti, fshati turistik që ndodhet vetëm 5 km larg qytetit të Pogradecit, ofron një pamje mbresëlënëse për vizitorët në të gjitha stinët e vitit.
Investimet e viteve të fundit në asfaltimin e infrastrukturës rrugore në kuadër të programit “Rrugët Lidhëse Rajonale”, me financim nga Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore, ka lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve për të vizituar këtë zonë. Ndërkohë që projektet e integruara, Shëtitorja e Tushemishtit, Parku i Drilonit dhe rruga me akses deri në pikën doganore të Tushemishtit, synon shumëfishimin e hapësirave në funksion të turizmit, duke nxjerrë edhe më shumë në pah perlat natyrore me të cilat është e veshur kjo zonë./ata