Edhe pak ditë nga debutimi i Shqipërisë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, në ndeshjen e parë ndaj Italisë në Dortmund. Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo ka treguar për “AFP” çelësin e suksesit dhe se ku do të mbështetet Shqipëria në Europian.

“Shqipëria ime do të mbështetet te shpirti dhe sakrifica që do tregoj në fushë. Kemi përballë kundërshtarë shumë të fortë që pretendojnë t’i shkojnë këtij turneu deri në fund dhe ta fitojnë atë. Forca jonë nuk është te një apo dy futbollistë, forca jonë është skuadra. Shqipëria është një skuadër pa shumë eksperiencë dhe merr pjesë në këtë kompeticion vetëm për herë të dytë në histori. Do të na duhet shumë punë që t’ia dalim në fushë. Kemi bërë një punë të madhe, por na pret tani edhe një sfidë akoma më e madhe” – tha fillimisht Silvinjo, i cili më tej theksoi se vendosja në Tiranë bashkë me stafin teknik ka bërë diferencën, duke shtuar se në futboll është gjjithçka e mundur.

“Jemi stafi i parë teknik që jemi shpërngulur në vendin e punës dhe kjo bën diferencën. Lojtarët të shikojnë dhe të thonë ‘ti ke një familje, një grua, një fëmijë, por t’i nuk jeton me to, jeton në Tiranë”. Njerëzit më telefonojnë dhe më pyesin se ku je? Unë i përgjigjem në Tiranë.

Kur merr përsipër një punë, atëherë duhet ta bësh mirë atë. Këtë mentalitet kam. Dikush thotë se jam i huaj, por duke jetuar në Shqipëri më konsiderojnë shqiptar. Në fakt, unë jam një qytetar shqiptar. Gjithmonë ju them: Nëse nuk fle arsyeja është sepse ka një problem, duhet ta bëjmë ekipin të funksionojë, atëherë as ju nuk duhet të flini, do të duhet të punoni më shumë.

Gjithçka është e mundur në futboll. Për mua e rëndësishme është t’u tregojmë njerëzve, publikut se luftojmë fort. Mua nuk më pëlqen t’i bëj gjërat përgjysmë, ose dedikohem në maksimum ose nuk përfshihem fare” – përfundoi Silvinjo./ata