Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është shprehur sot për Kombëtaren kuqezi, se kjo skuadër po na bën çdo ditë e më shumë krenarë.

Në një reagim në rrjetet sociale pas ndeshjes së sotme të Kombëtares kundër përfaqësueses kroate, Duka u shpreh se “sot ndaj Kroacisë kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë dhe meritonim shumë më shumë se një pikë. I kishim mundësitë dhe mund ta kishim mbyllur ndeshjen që në pjesën e parë.

Nuk e bëmë dot, e pamë veten në disavantazh dhe sërish djemtë treguan karakter dhe ia dolën të barazojnë. Dëshira ishte e madhe të fitonim, por ky është futbolli dhe na duhet të pranojmë rezultatin.

Tani le të mendojmë për Spanjën me pozitivet, të futemi në fushë të japim më të mirën. Kam shumë besim tek ekipi, siç duhet të kenë gjithë shqiptarët”.

Presidenti i FSHF Duka nuk la pa përmendur dhe falënderuar lojtarin numër 12 të Kombëtares, tifozëve kuqezi, të cilëve, siç u shpreh ai, “u jemi mirënjohës pafund për mbështetjen që po i japin Kombëtares në EURO2024”.

Kombëtarja shqiptare zhvilloi sot në Hamburg ndeshjen e saj të dytë në EURO2024, e vlefshme për grupin B, ku mori dhe pikën e parë, pas barazimit me Kroacinë. Pas dy ndeshjesh, Shqipëria renditet e treta në Grupin B, me pikë të barabarta me Kroacinë, por me golavarazh më të mirë. Nesër në orën 21:00 pritet me mjaft interes përballja mes Italisë dhe Spanjës./ata