Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, vitet e fundit është bërë gjithçka të shumëzohet me zero opozita.

Në një takim me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Berisha u shpreh në fjalën e tij online nga shtëpia, ku po vuan masën “Arrest shtëpie” dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, se ky është një nga takimet më të rëndësishme për të rinjtë e vendit, për PD dhe për opozitën.

Berisha u shpreh se, sivjet shkollat u hapën me 350 mijë nxënës të ulur në bankat e tyre, nga 630 mijë që ishin ata 11 vite më parë. “Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij kombi nuk ka ndodhur një përgjysmim dramatik, siç ndodhi në një dekadë i të rinjve në Shqipëri”, tha Berisha.

“Në qoftë se bëhet fjalë për ndërtimin e së ardhmes, ndërtimi i një të ardhme për një shoqëri dhe një vend është ëndrra e çdo të riu. Është tërësia e ëndrrave e të rinjve të këtij vendi dhe këtij kombi”, tha Berisha.

“Por në fakt, shpesh ju dëgjoj të thoni që ky regjim ka vrarë shpresën. Më shumë se aq, ka vrarë ëndrrën. Ka vrarë ëndrrën, sepse ju, vajza dhe djem të mençur konstatoni se në vendin tuaj, në qytetin ku banoni është e pamundur të mendosh se mund të ndërtosh folenë e familjes, se mund të ndërtosh shtëpizën e projekteve tua, se mund të mendosh që me idetë, me mendimet, me studimet të ndërtosh në këtë vend një të ardhme të ndritur, një të ardhme që meriton”, u shpreh ai.

Më tej kreu i PD shtoi se, para 35 vitesh bëri gjithçka kundër regjimit, ndërsa sot u bë gjithçka që të zhduket opozita.

“Në Shqipëri këto vite ai që quhet shtet ligjor, që përbën një garanci për të gjithë qytetarët dhe veprimtarinë e tyre është zëvendësuar me narko-shtetin, me pushtimin, me fuqinë e drogës, fuqinë e krimit”, tha Berisha.

“Pas 34 vitesh, dy vite ose vitet e fundit u bë gjithçka të shumëzohet me zero opozita, të zhduket opozita, të kontrollohet opozita”, tha ai./ata