Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares ka bërë të ditur se vendi i tij ka vendosur t'i bashkohet çështjes gjyqësore të gjenocidit kundër Izraelit, të ngritur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

"Ne e morëm këtë vendim në dritën e vazhdimit të operacionit ushtarak në Gaza. Ne vëzhgojmë me shqetësim të madh shtrirjen rajonale të konfliktit", tha Albares në një konferencë për media të thirrur urgjentisht.

Ai theksoi se Spanja e mori këtë vendim "jo vetëm që të kthehet paqja në Gaza dhe Lindjen e Mesme", por edhe për shkak të angazhimit të vendit ndaj ligjit ndërkombëtar.

"Ne kërkojmë të mbështesim gjykatën në zbatimin e masave paraprake, veçanërisht në finalizimin e operacioneve ushtarake në Rafah në mënyrë që të kthehet paqja, në pengesat për hyrjen e ndihmave humanitare që duhet të përfundojë si dhe në shkatërrimin e infrastrukturës civile që duhet të pushojë", tha Albares.

Me këtë ndërhyrje në çështjen gjyqësore në GJND, tha Albares, "objektivi i vetëm i Spanjës është t'i jepet fund luftës dhe më në fund të fillojë të ecë përpara zbatimi i zgjidhjes me dy shtete, e cila është e vetmja garanci për të arritur paqen dhe sigurinë për palestinezët, izraelitët dhe gjithë rajonin".

Siç theksoi ai, sulmet e ditëve të fundit treguan se masat paraprake "janë anashkaluar plotësisht dhe janë shumë larg realizimit". Ai siguroi se Spanja nuk ka "standarde të dyfishta" dhe se vendosi të bashkohet me çështjen gjyqësore kundër Izraelit për "pikërisht të njëjtat arsye", si kur iu bashkua asaj të formuluar nga Ukraina kundër luftës së Rusisë.

Megjithatë, ai nuk komentoi nëse Spanja e njeh luftën në Gaza si "gjenocid" dhe tha se i takon gjykatës së lartë të OKB-së që ta zgjidhë këtë çështje pasi mendimi i tij personal "ka pak rëndësi".

Albares e shpalli këtë vendim në një situatë plotë tension për shkak të kërcënimeve të Izraelit për mbylljen e konsullatës spanjolle në Kuds dhe pasi Madridi njohu zyrtarisht Palestinën si shtet, një veprim i ndjekur më pas nga Irlanda, Norvegjia dhe Sllovenia.

Të hënën, ministri spanjoll tha se konsullata e vendit të tij në Kuds ka një "status shumë të veçantë dhe historik" dhe ka ekzistuar "shumë përpara se të krijohej shteti izraelit", duke i kërkuar Izraelit të respektojë operacionet e tij.

Të paktën 36.654 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë si dhe rreth 83.300 të tjerë janë plagosur. Pothuajse 8 muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer nën rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në GJND, e cila në vendimin e fundit të saj ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta para se të pushtohej më 6 maj./aa