Türkiye shprehu dhimbje për të shtënat në një universitet në kryeqytetin çek Pragë që rezultoi në 15 të vdekur.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e jetëve në ngjarjen tragjike në Pragë sot”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Öncü Keçeli në “X”.

“Ua shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe popullit të Çekisë dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, shtoi ai.

Deklarata e tij erdhi pasi të paktën 15 persona u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën në të shtënat në Universitetin Charles në qendër të Pragës.

Shefi i policisë Martin Vondrasek tha se personi i armatosur ishte një student 24-vjeçar në Fakultetin e Arteve në Universitetin Charles. Sulmuesi jetonte në një fshat, 21 kilometra jashtë Pragës, ndërsa babai i tij u gjet i vdekur sot më herët.

Duke cituar gjetjet fillestare, shefi i policisë tha se i dyshuari ishte frymëzuar nga incidente të ngjashme që kanë ndodhur jashtë vendit dhe se ai nuk ishte i lidhur me ndonjë organizatë terroriste.

Trupi i pajetë i të armatosurit u gjet në Fakultetin e Arteve të universitetit, tha Vondrasek, duke shtuar se ai kreu vetëvrasje pas një shkëmbimi zjarri me policinë./aa