Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Arkivin e Bosnjë Hercegovinës. Përmes këtij akti, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe homologja e tij boshnjake, Danijela Mrda, ndërtojnë ura lidhëse për të shkëmbyer dijet, përvojat dhe dokumentet me interes të ndërsjellë.

Përmes këtij angazhimi, palët nënshkruese marrin përsipër të organizojnë ekspozita të përbashkëta mbi tema me interes të ndërsjellë, të marrin pjesë në konferenca shkencore dhe profesionale dhe të përgatisin për botim koleksione të përbashkëta dokumentesh.

Në fjalën e tij për mediat, Bido u shpreh se në sajë të kësaj marrëveshjeje synohet t’i jepet një hov zhvillimit të arkivave bashkëpunëtore, në mënyrë që të arrijnë standartet ndërkombëtare.

Ndërkaq, Mrda e cilësoi marrëveshjen e bashkëpunimit, si një mundësi për të ndryshuar perspektivën e arkivave përballë sfidave të së ardhmes.

Në bazë të parimit të reciprocitetit, DPA-ja dhe simotra boshnjake ndërmarrin shkëmbimin e specialistëve, në funksion të kryerjes së kërkimit të përbashkët dhe studimit të materialeve arkivore pa pagesë. Kjo marrëveshje ka një vlefshmëri 5-vjeçare dhe mund të qendrojë në fuqi edhe përtej këtij afati.

Në kuadrin e aktiviteteve që po mbahen me rastin e 75-vjetorit të themelimit të saj, DPA-ja nënshkroi edhe një marrëveshje bashkëpunimi me Shërbimin Shtetëror Arkivor të Ukrainës, duke siguruar shkëmbimin e dokumentacionit që hedh dritë kryesisht mbi rolin e mërgatës shqiptarë në Odesë, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare./ata