Muralja “Përballimi” në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, lë mbresa të veçanta dhe të paharruara tek turistët e shumtë që e vizitojnë këtë muze.
“Mjeshtri i Madh”, piktori Naxhi Bakalli, autori i kësaj vepre madhështore dhe monumentale, rrëfen për realizimin e saj që pjesa më kulminante ka triumfin mbi të keqen.
“Kjo pikturë është menduar më përpara në studio. Më vonë është përcaktuar në çdo detaj se si do ishte muralja. Është me garancinë e një muri që mos të pësojë transformime nga ambienti atmosferik, kohëzgjatja mbi mur e imazhit, teknika dhe sidomos përmbajtja e dramaturgjisë së veprës ku pjesa më kulminante është triumfi mbi të keqen që është lufta që e kanos qytetërimin e njeriut në tërësinë e fjalës, në procesin historik në çdo pikë të globit”, tregon Bakalli.
Ai thekson se kjo sipërmarrje është mbi këto atribute që që ta dëshmojë me gjuhën e pastërtisë forcën për të mbijetuar dhe kjo është gjëja më e shtrenjtë që ka në përmbajtjen e vet kjo murale.
“Detajet e shumta janë ato që, sipas mendimit tim, fuqizojnë anën e mbijetesës dhe të ndodhurit historikisht në këto kushte, ku jepet pjesa më humane që është qytetaria që duhet të vazhdojë dhe të jetojë në shekuj ose në vite për të dëshmuar se asgjë nuk bëhet lehtë, po me shumë sakrifica dhe herë me humbje”, rrëfen mjeshtri i motiveve popullore në pikturën shqiptare.
Naxhi Bakalli u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi i Krujës” në kuadër të aktiviteteve të organizuara tre ditë më parë për 580-vjetorin e “Besëlidhjes së Lezhës”.
Me titullin “Qytetar Nderi të Krujës” u nderuan nga Bashkia Krujë edhe katër artistë të mirënjohur të cilët kanë punuar për disa nga veprat kryesore në këtë muze: Janaq Paço, Genc Hajdari, Bashkim Ahmeti dhe Gazmend Leka.
Janaq Paço, “Skulptor i Popullit” (pas vdekjes) është nderuar për realizimin e veprave,”Skënderbeu mbi kalë” në qendër të qytetit të Krujës, si dhe për realizimin si bashkautor të grupit skulpturor “Skënderbeu dhe populli” në hyrjen e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Genc Hajdari për realizimin si bashkautor të grupit skulpturor “Skënderbeu dhe populli” në hyrjen e këtij muzeu si edhe disa vepra të tjera në këtë muze.
Realizimi i kësaj skulpture ka zgjatur tre vjet. Ishte menduar fillimisht nga arkitektët projektues që në hollin hyrës të muzeut të vendosej vetëm shtatorja e Heroit Kombëtar në këmbë. Për këtë arsye nga mjeshtri 65-vjeçar Paço (autor dhe i monumentit ekuestër të Skënderbeut të vendosur në qytetin e Krujës,1959) u realizuan disa variante të ndryshme, por komisioni artistik-shtetëror i kohës, sugjeroi që Skënderbeu të shoqërohej nga luftëtarët e tij dhe populli.
Në këtë variant, figura e Skënderbeut u plotësua anash dhe prapa nga figura të tjera luftëtarësh në skulpturë,që vazhdojnë në altoreliev dhe reliev deri lart,në hapësirën në formë harku të sfondit në hollin e katit të dytë të muzeut.
Mjeshtri Paço dhe Genc Hajdari kanë realizuar një grup skulpturor të veçantë,realist që harmonizohet bukur me arkitekturën e muzeut. Vepra të krijon një situatë impresionuese me fuqinë artistike dhe madhështinë e figurave monumentale. Skënderbeu është figura kryesore që evidentohet në grupin skulpturor. Ajo është realizuar me forma të plota monunumentale dhe një plastikë të ngrohtë.
“Mjeshtri i madh”, Gazmend Leka u nderu nga Bashkia Krujë për realizimin e disa punimeve në muze dhe bashkudhëheqës i projektimit të interierit të Muzeut “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”në Krujë.
Bashkim Ahmeti, “Mjeshtër i madh” vlerësohet për realizimin e pikturës murale “Kuvendi i Lezhës”. Në pikturë zhvillohen tre ngjarje të ndryshme. Afresku fillon me kthimin e Skënderbeut në Krujë dhe takimin romantik të dy figurave, Skënderbeut dhe nënës së tij, Vojsavës.
Në vazhdim në qendër të afreskut jepet moment kryesor i mbledhjes së princërve arbëror nga Skënderbeu që u mbajt në qytetin e Lezhës (Kuvendi i Lezhës, 2 Mars 1444).
Afresku mbyllet përsëri me imazhin e dy figurave, të kalorësit që po merr në mënyrë simbolike një mesazh-pergamenë të mbledhur rul,në momentin e nisjes për të përhapur lajmin e krijimit të koalicionit princëror arbëror./ata