35 kompani italiane, sipërmarrje shqiptare dhe 22 operatorë nga Kosova diskutuan në Tiranë për përfshirjen në investimet në fushën e infrastrukturës në Shqipëri.

Të pranishëm në takimin “Inxhinieria e qëndrueshme në 360 gradë”, organizuar nga ambasada italiane në Shqipëri, Agjencia Italiane për Tregti, në bashkëpunim me Shoqatën e Inxhinierisë, Arkitekturës dhe Konsulencës Teknike- Ekonomike në Itali (OICE), sipërmarrësit vunë theksin në rëndësinë e investimeve që përgjigjen perspektivës së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Mbajtja e këtij forumi, mori shkas nga zhvillimi i dukshëm i viteve të fundit i arritur në sektorin e infrastrukturës dhe perspektivat e mëtejshme të rritjes që lidhen me programet e investimeve të qeverisë në funksion të anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE.

Nisma synoi forcimin e ndërsjellë të bashkëpunimit për ofrimin e eksperiencës të sipërmarrësve italianë ndaj atyre shqiptarë dhe nga Kosova për adoptimin e standardeve europiane, në projektime inxhinierike me qëndrueshmëri ekologjike, si për veprat publike dhe investime private që po zhvillohen në Shqipëri.

Francesca Mondello drejtoresha e Agjencisë Italiane të Tregtisë në Tiranë (ITA) ftoi sipërmarrësit italiane të investojnë në Shqipëri, pasi mundësitë janë të shumta jo vetëm në sektorin e infrastrukturës, por edhe në energjetikë, turizmin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore.

Ajo u ndal te prezantimi i një sërë projektesh, që kanë shënuar progres në vend, për fushën e infrastrukturës dhe energjetikës.

“Shqipëria gjithashtu po investon shumë për ndërtimin e rrjetit rrugor nacional dhe për ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane që do të lidhet me 9 korridoret më të rëndësishme europiane. Së shpejti do të ndërtohet edhe rrjeti hekurudhor Tiranë-Durrës -Rinas, që do ta ndërlidhë Shqipërinë me rrjetin hekurudhor të Ballkanit. I rëndësishëm është edhe zhvillimi i infrastrukturës portuale. Shqipëria ka 4 porte, si: në Durrës, Shëngjin, Vlorë dhe Sarandë, dhe veçanërisht po investon në projektin e marinës në Durrës dhe me portin në Porto Romano. Mundësi bashkëpunimi është edhe fusha e promovimit dhe rikuperimit të trashëgimisë kulturore, ku mund të ndiqet modeli që përfaqëson Italinë”, tha ajo.

Projektet e shumta infrastrukture që po zhvillohen ne Shqipëri, edhe nga zv.Presidentja e OICE Francesca Federzoni, u vlerësuan se përbëjnë avantazh për forcimin e bashkëpunimit mes sipërmarrjeve, për implementimin e standardeve teknike të arkitekturës italiane.

“Qëllimi i këtij forumi është që vendet më të zhvilluara do të mund të ndihmojnë ato që janë më pas, parë në këndvështrimin e përmirësimit të gjerave të standardeve teknike. Hapi i dytë është përdorimi i standardeve europiane. Ndërsa bëjmë punën tonë, ndihmojnë vendin tuaj, për të ecur përpara dhe për të qenë sa më afër komunitetit europian”, tha ajo.

Në përfundim të takimit u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes zv/presidentes së Shoqatës së Inxhinierisë, Arkitekturës dhe Konsulencës Teknike Ekonomike në Itali (OICE) Francesca Federzoni dhe Presidentit të Shoqatës Shqiptare të Inxhinierëve Konsulentë  Faruk Kaba./ata