Policia e Shtetit përgënjeshtron lajmin se ka pasur punonjës policie të armatosur gjatë tubimit sot në Kuvend.

Policia bën të ditur me anë të një reagimi se, asnjë punonjës policie nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri gjatë tubimit, por vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.

“Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit”, thekson Policia.

Policia e Shtetit reagoi sot pas protestës së dhunshme të opozitës, fillimisht përpara bashkisë së Tiranës dhe më pas përpara godinës së Kuvendit.

Policia e Shtetit njofton se, Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë.

Policia thekson se, gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin godinës së Kuvendit.

“Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore në rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni”, thuhet në reagim.

“Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri gjatë tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit”, thuhet më tej në reagim.

Policia e Shtetit bën të ditur se, është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.

Ndërkohë, Policia e Shtetit njofton se do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot se, punonjës të policisë u kanë drejtuar armën deputetëve./ata