Shqipëria dhe Hungaria nënshkruan sot dy marrëveshje mirëkuptimi, njëra në fushën e bujqësisë dhe tjetra në fushën e administratës publike.
Marrëveshjet u nënshkruan në kuadër të vizitës në Hungari të Kryeministrit Edi Rama dhe delegacionit zyrtar nga Shqipëria në përbërje të së cilit janë edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni.
Në deklaratën e përbashkët me Kryeministrin Viktor Orbán, Kryeministri Rama nënvizoi rëndësinë e administratës publike për të gjithë ato vende që janë në procesin e anëtarësimit në BE.
Sipas tij, “përvoja e Hungarisë është shumë e rëndësishme në këtë drejtim”.
Rama u ndal edhe te zhvillimi i turizmit në Shqipëri, ndërsa shtoi se “gjithnjë e më shumë qytetarë hungarezë që vijnë në Shqipëri për pushime”.
“Në bregdetin tonë ky numër është rritur sërish në krahasim me vitin e shkuar dhe për momentin ne po shikojmë një rritje të madhe të turizmit në Shqipëri. 10 milionë turistë kishim vjet dhe sivjet shifra do të arrijë 12 milionë ose më shumë, me aeroportin që ka pasur rritjen më të madhe në Europë dhe ne dëshirojmë që të kemi jo vetëm turistë hungarezë të cilët sigurisht i mirëpresim. Meqë ra fjala, Hungaria është vendi nga i cili ne patëm një mbretëreshë, por ne gjithashtu duam që edhe investimet në turizëm të pasojnë dhe që të kemi flamurin hungarez në Shqipëri dhe na pëlqen shumë flamuri hungarez. Nuk e shikojmë atë fare si kërcenim apo sikur do të na pushtojë”, theksoi Rama./ata