Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku mori pjesë në konferencën e organizuar nga International Republican Institute (IRI) në Washington mbi erozionin e demokracisë nga korrupsioni dhe kapjen e shtetit.
Tabaku theksoi se këto janë fenomene që Shqipëria i ndjen përditë.
“Si vëllezër siamezë, erozioni i demokracisë dhe korrupsioni janë të lidhur ngushtësisht ndërsa notojnë në të njëjtin pellg të ndenjur me kapjen e shtetit, simptoma që Shqipëria i ndjen përditë”, u shpreh ajo.
Tabaku nënvizoi se “detyra jonë mbetet përballja me këto probleme dhe zgjidhja e tyre”.
Sipas saj, “është koha që Shqipëria të ndërtojë një projekt të qartë që parandalon korrupsionin dhe lufton për demokracinë”.
“Kjo arrihet duke i dhënë parlamentit një rol real në balancën e pushteteve. Pra, duke respektuar opozitën që është në fakt esenca e parlamentarizmit. Shqipëria është Europë, por duhet të luftojë për të ndërtuar demokracinë institucionale perëndimore”, u shpreh Tabaku./ata