Në bashkitë e Beratit, Divjakës dhe Shkodrës do të pilotohet decentralizimi i disa funksioneve në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilluan sot një takim me kryetarët e këtyre tre bashkive, Ervin Demo, Josif Gorrea dhe Benet Beci.
Gjatë takimit u diskutua për procedurat që duhen ndjekur, nevojat e bashkive për mbështjetje me kapacitete financiare dhe njerëzore për t’i kryer këto funksione.
Mazniku bëri të ditur sot se dhënia e më shumë kompetencave për njësitë vendore do të rrisë efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve në sektorë shumë të ndjeshëm për ta.
“Ne synojmë më shumë shërbime për qytetarët dhe më afër vendbanimit të tyre”, deklaroi ministri Mazniku./ata