Investimet në start up-et për të rinjtë është një nga pikat e programit të Partisë Demokratike. Duke shpjeguar këtë pikë të programit të paraqitur në kuvendin programor të PD-së, Sekretari Ekzekutiv për Burimet Njerëzore dhe Koordinimin Dixhital, Endri Hasa theksoi në një intervistë në media se parashikohet ndërtimi i 4 kampuseve të inovacionit të trajnuar.
Hasa u shpreh se në bashkëpunim me universitetet, për 4 vite do të trajnohen 25 mijë të rinj në teknologji të avancuar që do të jenë të aftë për tregun e punës dhe do marrin një pagë mesatare prej 2 mijë eurosh.
“Të investosh në start up-e të reja, të investosh në biznesin e të rinjve deri në 30 vjeç, të investosh në teknologjitë e reja. Ne parashikojmë të ndërtojmë 4 kampuse në Shqipëri të inovacionit të trajnuar, shkolluar, në bashkëpunim me universitetet, do trajnohen 25 mijë të rinj në 4 vite në teknologji të avancuara, dhe që do punojnë në profesionet më të mirëpaguara sot në botë”, shpjegoi Hasa.
Sipas tij, kjo do të thotë që të përgatitet një treg për 25 mijë të rinj që kur të jenë në tregun e punës do të marrin një pagë mesatare prej 2 mijë eurosh në muaj.
“Dhe kur këta individ që shteti investoi për t’i trajnuar, u jep mundësinë që këta të rriten profesionalisht, të jenë të aftë për tregun e punës, të jenë të aftë për tregun global të punës do të sjellin të ardhura në Shqipëri”, përfundoi Hasa./ata