Ish-astronauti i misionit Apollo 8, William Anders, ka humbur jetën në moshën 90-vjeçare në një aksident ajror që ndodhi pranë qytetit Seattle të SHBA-së.

CNN raportoi se vdekja e Anders-it u konfirmua nga djali i tij, Gregory Anders, i cili tha se “babai i tij humbi jetën në një incident avioni në ishujt San Juan”.

“Familja është pikëlluar për humbjen e një piloti të madh”, tha Gregory Anders.

Sipas zyrës së sherifit të qarkut San Juan, incidenti ndodhi në brigjet e ishullit Jones.

Qendra e informimit mori një raport rreth orës 11:30 të mëngjesit me kohën lokale lidhur me avionin e modelit të vjetër që fluturonte drejt jugut para se të rrëzohej dhe fundisej në ujë pranë skajit verior të ishullit Jones.

Roja Bregdetare e SHBA-së njoftoi se kreu një kërkim që përfshinte 215 milje detare, duke gjetur përfundimisht trupin e pilotit me ndihmën e një ekipi të zhytjes.

Kush është William Anders?

William Anders lindi më 17 tetor të vitit 1933 në Hong Kong dhe u diplomua në Akademinë Detare të SHBA-së në vitin 1955, ku fitoi krahët e tij të pilotit vitin në vijim pasi u autorizua në Forcat Ajrore të SHBA-së.

Sipas NASA-s, ai shërbeu si pilot i avionit luftarak në Kaliforni dhe Islandë dhe menaxhoi programet e mbrojtjes së reaktorëve të energjisë bërthamore dhe efekteve të rrezatimit në Laboratorin e Armëve të Forcave Ajrore në New Mexico.

I zgjedhur nga NASA si astronaut në vitin 1964, Anders ishte një pilot rezervë për misionin Gemini 11 dhe fluturimin Apollo 11, duke regjistruar mbi 6.000 orë kohë fluturimi.

Në dhjetor të vitit 1968, ai orbitoi Hënën në bordin e misionit Apollo 8 me Jim Lovell dhe Frank Borman, duke kapur foton ikonike "Earthrise", të cilën ai e përshkroi si një moment kyç në historinë njerëzore.

“Ne erdhëm gjithë këtë rrugë për të eksploruar Hënën dhe gjëja më e rëndësishme është se ne zbuluam Tokën”, kishte thënë ai.

Përtej misioneve të tij në hapësirë, Anders shërbeu si sekretar ekzekutiv për Këshillin Kombëtar të Aeronautikës dhe Hapësirës në vitet 1969-1973 dhe u emërua kryetari i parë i Komisionit Rregullator Bërthamor nga presidenti Gerald Ford.

Anders ka lënë pas gruan e tij, dy vajza dhe katër djem./aa