Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë mori pjesë sot në prezantimin e Manifestit të Forumit të Gruas së Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Ky manifest është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës të vetë grave dhe vajzave të forumit nga të gjitha bashkitë e vendit, me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Balluku u shpreh se edhe pse në manifest flitet për fuqizimin e gruas në politikë, kjo mund të konsiderohet një fazë e ezauruar në PS.

“Ne duhet të flasim për gjithçka tjetër sot, për dhunën verbale, atë familjare, barazinë në meritokraci, por për përfshirjen në politikë për PS-në e konsideroj një fazë të ezauruar. Madje mendoj shpesh se ka ardhur koha të merren në mbrojtje burrat e PS-së, që vuajnë represionin e grave në të gjitha nivelet, duke nisur nga qeveria në një kabinet me shumicë zonjash dhe duke përfunduar në një grup parlamentar që po nuk folëm ne nuk e hapin gojën burrat”, tha Balluku.

Balluku u shpreh se PS në këtë drejtim duhet marrë shembull edhe nga vendet e tjera europiane.

“Kush do mendonte para pak vitesh që në qarkun e Dibrës nga 4 bashki, dy do të udhëhiqeshin nga dy zonja. Nuk besoj se ndonjëra prej jush ka ndjerë në PS bërrylat e burrave. Ne kemi një fat të madh, gratë socialiste, të gjitha ne që kemi vendosur t’i bashkohemi këtij rrugëtimi që është politika. Kemi pasur fatin e madh se këtë rrugëtimin tonë na e ka çarë Edi Rama”, tha Balluku.

“Në 2004 vendosa t’i bashkohesha Edi Ramës në vizionin e tij të madh për ndryshimin e Tiranës. Në bashkinë e Tiranës punonin 70% gra në vitin 2004 dhe nuk punonin thjesht për të mbushur pozicionet por ishin drejtuese. Bashkia e Tiranës drejtohej nga dy nënkryetare gra, më pas një shefe kabineti grua dhe këshilltare e drejtoresha të përgjithshme që sot ndodhen në pozicione drejtuese”, tha më tej Balluku.

Ndaj, sipas saj, “ky rrugëtim i grave në politikë nuk ka qenë i komplikuar dhe është i thjeshtë pasi ne kemi pasur një person vizionar për të na udhëhequr që është Edi Rama, i cili ka kuptuar prej kohësh që nëse do të bësh punë bëji me gratë, ndërsa bisedat bëji me burrat”.

“Rrugëtimi ynë politik ka qenë i shtruar. Një rrugëtim ku ne jemi ndjerë mirë çdoherë. Mbi 60% e votave për PS-në vijnë nga gratë sepse shohin tek ne modelin më të mirë, shikojnë një listë deputetesh gra të fuqizuara në politikë dhe padyshim që e japin votën. Askush nuk i beson ato përrallat e baltës ‘Edi Rama dhunuesi i grave’. Askush nuk do harxhonte kohën t’i analizonte ato sepse ne jemi fakti se kush është Edi Rama dhe çfarë ka bërë ai për gratë”, tha Balluku.

Për zëvendëskryeministren, tani duhet që vetë gratë, me fuqinë që kanë sot në politikë të hyjnë në çdo shtëpi dhe të ndikojnë për fuqizimin e grave, pavarësisht përkatësisë politike.

“Ndërkohë që flasim për fuqizimin tonë politik, ne jemi aq të fuqishme sa nuk ka ku shkon më, por duhet të shikojmë se çfarë do të bëjmë për të fuqizuar gratë shqiptare. Gra dhe vajza që kanë nevojë për mbështetje dhe informacion, edhe pse mund të mos i përkasin forcës tonë politike”, tha Balluku.

Zv/kryeministrja theksoi se qeveria shqiptare sot ka incentiva të tëra që janë aty për të mbështetur gratë dhe vajzat, por që shumica nuk i dinë që ekzistojnë.

“Duhen takime informuese për këtë. Shqipëria është një vend që sot jeton momentet e saj më të rëndësishme, një faqe e artë e ekonomisë shqiptare. Nëse ulesh dhe shikon se çfarë po ndodh me të vërtetë, shifrat nga të ardhurat në buxhetin e shtetit, numrin e pasagjerëve që zbresin çdo ditë në Rinas, të avionëve dhe automjeteve që hyjnë në pikat tona kufitare, apo prenotimet që kanë filluar për vitin 20025 dhe janë 40 për qind më lartë se prenotimet e vitit 2024, atëherë secili prej nesh kupton që Shqipëria është në momentin e saj më të mirë”, tha ajo.

Balluku theksoi se ky manifest shpreh në mënyrën më të mirë të mundshme, se cilat duhet të jenë detyrat e grave që aderojnë në PS, të cilat tani duhet të luftojnë fuqimisht për fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave në Shqipëri./ata