Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi priti sot në një takim Blanca Lilia Ibarra, anëtare e Bordit të Komisionerëve të INAI Meksikë, në cilësinë e kreut të Komitetit Ekzekutiv të ICIC, dhe pjestarë të Sekretariatit.
Gjatë takimit, palët ndanë të njëjtin mendim, se zhvillimi i edicionit të 15-të të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit, në Tiranë në datat 3-5 qershor 2024, ishte një sukses për këtë organizatë, në rrugën e konsolidimit të lidershipit të saj në botë për promovimin e të drejtës për informim, sidomos në optikën e zhvillimeve teknologjike.
Nga ana tjetër, aktiviteti i shërbeu edhe forcimit të bashkëpunimit, si mes institucioneve homologe, ashtu edhe me partnerët e shoqërisë civile, botës akademike apo medies, duke ndarë eksperiencat më të mira për garantimin e kësaj të drejte themelore të individit dhe sigurimin e standardeve më të larta në ushtrimin praktik të saj.
Takimi u zhvillua në kuadër të veprimtarisë për hartimin e konkluzioneve të Konferencës dhe vlerësimit të kapaciteteve të domosdoshme për forcimin e rolit të organizatës në arenën ndërkombëtare.
Delegacioni meksikan vlerësoi njëkohësisht edhe përkushtimin dhe punën e palodhur të Zyrës së Komisionerit në organizimin e kësaj Konference, si dhe për mikpritjen karakteristike shqiptare për promovimin e vlerave më të spikatura të historisë, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare./ata