Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit njoftoi se është kryer sulm i armatosur ndaj ambasadës së saj në kryeqytetin e Iranit, Teheran, ku humbi jetën shefi i sigurimit.

 

Në deklaratën nga ministria raportohet se rreth orës 08:30 është kryer sulm i armatosur ndaj ambasadës së Azerbajxhanit në Teheran.

 

Në deklaratë thuhet se sulmuesi, i cili hapi zjarr me automatik kallashnikov, vrau shefin e sigurimit të ambasadës dhe plagosi 2 roje.

 

Theksohet se hetimet për sulmin po vazhdojnë dhe publikut do t'i jepet informacion shtesë për detajet.Komandanti i Policisë së Teheranit, Hossein Rahimi tha se është kapur sulmuesi, i cili kreu sulm të armatosur ndaj Ambasadës së Republikës së Azerbajxhanit në Teheran.

 

Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Rahimi ka dhënë informacione për sulmin e armatosur që ndodhi në Teheran sot në mëngjes.

 

Ai tha se "një person ka kryer sulm të armatosur gjatë hyrjes së stafit të Ambasadës së Azerbajxhanit në ambasadë, duke shkaktuar 1 të vdekur dhe 2 të plagosur".

 

Duke theksuar se sulmuesi është kapur, Rahimi tha se "Sulmuesi ka hyrë në objekt me 2 fëmijë të vegjël. Sipas informacioneve të para është konstatuar se sulmin e ka organizuar për shkak të problemeve personale dhe familjare".

 

Rahimi nuk ka dhënë informacione për identitetin e sulmuesit./AA