Sezoni turistik këtë vit në Shqipëri ka nisur edhe më herët se vitet e tjera dhe këtë e tregon jo vetëm kapërcimi i numrit të të huajve që kanë vizituar vendin tonë në 4 mujorin e parë të vitit me 38.2 për qind më shumë se viti 2023, por edhe rritja e volumit të importeve.

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se për periudhën 5 mujore, janar-maj 2024,  ka pasur një rritje të ndjeshme të konsumit për mallrat e akcizës.

Konkretisht në 5-mujori, janë importuar 20,000 ton më shumë karburant se e njëjta periudhë e një viti më parë pavarësisht paqëndrueshmërisë së çmimeve në treg dhe shtrenjtësisë së tyre.

Po ashtu rritje të konsiderueshme ka pasur edhe import i birrës me 220 ton në 5-mujor, çka tregon konsumin e shtuar të këtij produkti gjatë kësaj periudhe si dhe një lloj parapërgatitje për hotelet kryesisht me koncept all inclusive për të pritur edhe më shumë pushues.

Ndërsa importi i kafes është rritur me  150 ton më shumë se 5 mujori vitit të kaluar. Me rritje 47 ton janë regjistruar cigaret, ku mesa duket rritja e akcizës dhe rrjedhimisht e çmimit të paketave, nuk ka ndikuar në frenimin e konsumit për këtë produkt.

Informacionet operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se vijon ritmi rritjes krahasuar me vitin e kaluar pasi të ardhurat nga doganat për 5 mujorin 2024 janë realizuar rreth 5,6 miliardë lek ose +6,6% më shumë 2023-shi.

Në vlerë absolute të ardhurat doganore për periudhën Janar-Maj 2024 u realizuan në masën 89,8 miliardë lekë ose 100,2 % e planit të parashikuar.  Treguesi më domethënës për kërkesën e brendshme dhe performancën e të ardhurave janë të ardhurat nga mallrat e akcizës që kanë kontributin kryesor ne te ardhurat doganore./Tema