Tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj së bashku me tenorin italian, Alessandro Safina kanë dhuruar një mbrëmje të magjishme për qytetarët shkodranë në sheshin e Shirokës.

Tenori Ramë Lahaj, i cili është ngjitur në disa prej skenave më prestigjioze të botës, zgjodhi Shkodrën për koncertin e tij të parë në vendin tonë si një qytet që e dashuron kulturën dhe muzikën në të gjitha format e saj.

Koncerti “Ramë Lahaj & Friends” organizuar nga Bashkia Shkodër, nën patronazhin e kryebashkiakut, Benet Beci, u ndoq nga qindra qytetarë duke ju dhuruar një mbrëmje të paharrueshme.

“Nuk ka kënaqësi ma të madhe se me ia servu dynjasë vlerat e traditat e vërteta shqiptare”, është shprehur Lahaj.

Tenori Lahaj konsiderohet si një ndër artistët e parë të operës në Kosovë i cili ka interpretuar në teatrot më të mëdha të botës, duke ndarë skenën me legjenda të operës si Placido Domingo, që më vonë e nderoi atë me çmimin e Konkursit Botëror të Operës “Operalia”.

Tenori me famë ndërkombëtare dhe që njihet për zërin e tij të veçantë, në çdo skenë që është ngjitur ka interpretuar me krenari dhe pasion edhe muzikën shqiptare duke bërë që jehona e këngës shqipe të kalojë çdo kontinent.

“Shqip kam me i knu dyjas tanë jetën, se shqipen e flet edhe vetë  Zoti. Shqip me buzëqeshë shpirti e zemra, se shqip me ka knu edhe nana, na kanë knu edhe t’parët, në të mirë e në të keqe”, ka deklaruar Lahaj./ata