Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e së hënës projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”.

E pranishme në këtë mbledhje zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj tha se, Shqipëria është anëtare në Konventën e Aviacionit Civil Ndërkombëtar, prej nga burojnë dhe ndryshimet e këtyre dy neneve që në thelb ndryshojnë numrin e anëtarëve të dy organeve kryesore

Sipas saj, ndryshimi i nenit 50 (a) të konventës parashikon zgjerimin e anëtarësimit të Këshillit, nga 36 në 40 anëtarë, me qëllim që të sigurohet një ekuilibër më i mirë nëpërmjet një përfaqësimi më të madh të shteteve kontraktuese. Ndërsa ndryshimi i nenit 56 ka të bëjë me rritjen e numrit të anëtarëve të Komisionit të Lundrimit Ajror, nga 19 në 21, me qëllim që ky komision të mund të mbështetet në ekspertizën dhe përvojën e aftësive dhe njohurive të ndryshme operacionale nga shtetet kontraktuese.

Muçaj tha se, protokollet janë të hapura për ratifikim nga 128 shtetet që kanë ratifikuar ose aderuar në Konventën e Çikagos, ku padyshim Shqipëria është shprehur pro tyre.

Vlen të theksohet se miratimi i këtyre akteve është detyrim i vendit tonë para
Organizatës për Aviacionin Civil Ndërkombëtar. “Që të arrihet numri i shteteve
që kanë pranuar ligjërisht këto protokolle, në mënyrë që të mundësohet hyrja në
fuqi e tyre, nga ana e ICAO-s pranohet edhe dorëzimi i instrumenteve të aderimit
në protokollet në fjalë”, u shpreh Muçaj./ata