Presidenti Duka foli edhe për postin si zv.President i UEFA-s dhe kryetar i Komitetit të Mediave në UEFA, raportet me homologët dhe federatat e tjera në të gjithë Europën si edhe tregoi se sa ka ndryshuar perceptimi dhe imazhi i Shqipërisë në sy të miqve europianë kryesisht gjatë viteve të fundit.
Në prag të ndeshjeve finale të Kampionatit Europian, Presidenti Armand Duka foli edhe për kualifikimin e Kombëtares në këtë kompeticion dhe objektivat që ka përfaqësuesja shqiptare, që mbi të gjitha duhet të shijojë pjesëmarrjen në Gjermani.
Më poshtë intervista e plotë e Presidentit Duka për RTK:
Kampionati Europian, do të jetë pjesëmarrja e dytë për Kombëtaren shqiptare, pas “Francë 2016” dhe tani “Gjermani 2024”. Si po e përjetoni dhe si po e shijoni këtë moment, kemi edhe pak ditë deri tek fillimi i “EURO 2024”?
– Po e shijoj si të gjithë ne, si të gjithë ju, si të gjithë shqiptarët. Shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj historie dhe që jemi bashkë në këtë event të rëndësishëm futbollistik. Nuk është një gjë normale, një gjë që ndodh zakonisht, kështu që padyshim që jemi shumë të lumtur që do të jemi pjesë e Kampionatit Europian. Ashtu siç e theksuat edhe ju, për herë të dytë dhe do të tentojmë që të bëjmë më të mirën, për të treguar jo vetëm vlerat e futbollit shqiptar, por siç treguam në Francë, të tregojmë vlerat e kulturës shqiptare e tifozerisë shqiptare e gjithçka të mirë që ne kemi, mbase kemi pasur pak mundësi për ta demonstruar.
Cili rrugëtim ka qenë më i vështirë për kualifikim në Europian, ai i para tetë viteve në Francë apo ky i tanishmi, dhe cilin po e shijon më shumë?
Për një skuadër jo me traditë të vazhdueshme e të kualifikuar në kompeticione të rëndësishme Europiane apo Botërore gjithmonë është e vështirë. Është e vështirë çdo ndeshje, është i vështirë gjithë kompeticioni për të arritur objektivin. Hera e parë ka qenë një objektiv apo një ëndërr utopike që nga shumëkush është menduar që ne nuk do të arrijmë kualifikimin ndonjëherë, kështu që padyshim që na ka shijuar shumë që për herë të parë e pamë veten si pjesë e këtij kompeticioni të rëndësishëm. Ai edicion kualifikues kishte veçoritë e veta siç i kujtojmë, ndeshjen e Beogradit me shumë probleme, me emocione qoftë edhe negative që nuk kanë lidhje me futbollin, kishte ‘luftë’ në fushë në gjykata në arbitrazh, kishte ato veçoritë e veta dhe ishte shumë e vështirë.
Vërtetë kishim një grup të vështirë, kur kam parë shortin e asaj kohe kam menduar që me këtë grup ne mund të rrezikonim për të mbetur edhe të fundit e grupit, Serbia, Danimarka, Portugalia por edhe Armenia e asaj kohe ishte Kombëtare shumë e fortë. Ia arritëm le të themi me të gjithë ato veçoritë e veta, vërtetë shumë i gëzuar dhe besoj se të gjithë kemi qenë të gëzuar që u kualifikuam, por në këto kualifikuese kemi patur akoma më shumë kënaqësi nga të gjithë ne për atë çka ka dhuruar ekipi në fushë.
Në këtë edicion nuk kemi pasur problemet e të kaluarës si ajo në Serbi që u detyruam ta ndërprisnim ndeshjen, kjo ka qenë një festë sportive që nga dita e parë e deri te e fundit. E kemi filluar keq me një humbje në Poloni, por një humbje me një lojë premtuese, njerëzit ishin të kënqur me performancën e skuadrës në fushë dhe u pasua pastaj edhe me rezultate të mira, pra ka qenë një kompeticion shumë i kënaqshëm për të gjithë, e kanë shijuar gjithë tifozët, gjithë spektatorët, të gjithë ata që e duan futbollin. Kombëtarja nuk është vetëm një ekip përfaqësues për ata që janë tifozë të futbollit. Kombëtarja shqiptare është më shumë se sa kaq, është fiks gjëja ku gjithë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri apo jashtë saj, sepse fatkeqësisht ne kemi më shumë shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, sesa brenda. Të gjithë e shohin si gjënë më të mirë që ka ndodhur në Shqipëri dhe në të cilën vërtetë kërkojnë të shprehin atë mungesën qoftë edhe nacionaliste apo edhe atë mungesën që kemi pasur ndër vite. Pra, skuadra e jonë e futbollit është më shumë sesa skuadër futbolli, inspiron të gjithë shqiptarët më shumë sesa çdo skuadër tjetër në Europë.
Në Francë kuqezinjtë u përballën me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë, këta të fundit ne i mundëm, po në këtë Europian?
Për të qenë i sinqertë në “Euro 2016”, gjëja që kam menduar ka qenë që të bëjmë një rezultat të mirë dhe njerëzit të kënaqen, ashtu siç edhe u kënaqën. Nuk është se kam menduar se kemi mundësi për ta kaluar grupin, pavarësisht se ne pretenduam kalimin e grupit me fitoren kundër Rumanisë. Ishte një paraqitje e kënaqshme e skuadrës me një humbje në ndeshjen e parë kundër Zvicrës që erdhi edhe pas një kartoni të kuq në minutën e 37-të, por që ne kishim shanset tona për të barazuar. Nëse kujtoni rastin e Gashit që doli i vetëm përballë portierit zvicerian, pra humbje minimale me një performancë të mirë. Ndeshja e dytë me Francën ishte po ashtu një lojë e mirë e jona, por që fatkeqësisht pësuam një gol në minutat e fundit dhe një tjetër më pas në kohën shtesë dhe me një fitore kundër Rumanisë. Ne ishim të kënaqur nga ajo që dha skuadra në fushë nga mbështetja që morëm nga tifozët dhe gjithë spektatorët në Francë dhe nëse ju kujtohet gazetat franceze shkruanin ”Shqiptarë jeni të mirëpritur përherë në Francë ” dhe për ne kjo ishte një sukses Kombëtar.
Në një mënyre ne kemi nevojë për një lloj imazhi, mendimi apo mikëpritje të vendeve europiane. Në përgjithësi ishte një kompeticion i kënaqshëm në të gjitha komponentët.
Nga kjo që deklaruat tashmë nuk jeni të kënaqur vetëm me pjesëmarrje, por doni edhe rezultate?
Unë mendoj që jemi në një nivel tjetër, jemi më mirë nga pikëpamja kualitative sportive, por edhe kundërshtarët që kemi në grup janë mbase të paktën në letër me historinë që kanë më të fortët e mundshëm. Nëse do të shikoni shortin e UEFA Nations League që u hodh në Paris tre ekipet e para të renditura ishin Spanja, Kroacia dhe Italia, pikërisht këto që ne do t’i kemi kundërshtarë e që ne do të mundohemi t’i sfidojmë. Në një lloj mënyre ne duam t’i sfidojmë pavarësisht se le të themi mediatikisht trajnerët e Spanjës, Kroacisë dhe Italisë, shprehen se Shqipëria është një ekip i fortë, ne duhet të kemi kujdes. Unë kam përshtypjen që ata mendojnë se e kanë të sigurtë kualifikimin, nga ana tjetër nuk është se ne mendojmë që kemi më shumë shanse sesa ata, por kemi besim tek ekipi jonë ashtu siç kemi besuar te ekipi në ndeshjet kualfikuese. Ne kemi bërë një tur kualifkues vërtetë fantastik në krahasim me kundërshtarët tanë. Italia është kualifkuar me vështirësi me një penallti në minutën e fundit me Ukrainën, me një barazim me Maqedoninë e Veriut. Pra ne kemi mundësi që të kërkojmë t’i sfidojmë ata por gjithsesi ajo që unë e kam thënë disa herë dhe vazhdoj ta përsëris dhe do mundohem që këtë gjë ta ndaj aq sa mundem edhe me stafin dhe futbollistët është që lojtarët tanë duhet vërtetë ta shijojnë atë që kanë arritur.
Vërtetë është një grup i fortë, por mos të harrojmë që jo vetëm ndaj Shqipërisë, kundërshtarët tanë do të luajnë kundër njëri tjetrit, kështu që çdo gjë është e hapur, por gjithsesi ne e kemi bërë kampionatin tonë, skuadra dhe djemtë e kanë arritur suksesin e vet. Unë jam krenar për djemtë e ekipit Kombëtar, për stafin, për Silvinjon dhe gjithë stafin e tij që na kanë bërë të ndihemi ne krenar sepse në fund të fundit janë këmbët e tyre që e kanë arritur një gjë të tillë, të gjithë ne të tjerët jemi faktor plotësues dhe ndihmojmë performancën e tyre.
Atmosfera e mirë që mbizotëron në Kombëtare – Futbolli është lojë kolektive, apo më mirë të gjitha lojërat edhe ato që quhen sporte individuale në fund janë sporte kolektive pavarësisht se përfaqësohen nga një individ në arenë apo tapet, por është një kolektiv i madh që kontribuojnë për të pasur rezultatin dhe për të performuar sa më mirë, aq më shumë në futboll që edhe prezantimi bëhet në fushën e lojës me 11 lojtar. Pra, unë mund të them është meritë e atmosferës së krijuar ndër vite. Meritë është e tifozëve tanë që kanë besuar e kanë mbështetur vazhimisht jo vetëm në shkallët e stadiumeve, të krijosh atmosferë të mirë nuk mjafton vetëm përkrahja në shkallët e stadiumit apo në një ndeshje 90 minuta, por mënyra se si t’i sillesh me ta opinionet që i ndani për ta komunikimet e vazhdueshme dhe një sër gjërash të tjera pozitive. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme, kjo padyshim që ka ardhur edhe si rezultat i punës së ekipit, ka ardhur si rezultat i punës së stafit dhe Silvinjos që është dirigjenti i tyre. Silvinjo ka padyshim merita të padiskutueshme në këtë nivel përfaqësimi apo edhe te rezultatet e ekipit Kombëtar. Është shumë e rëndësishme dhe arma kryesore është në duart e trajnerit, krijimi i një ambienti pozitiv në skuadër. Ne kemi shumë ekipe apo Kombëtare të tjera në Europë apo botë që kanë lojtarë me kualitete dukshëm më të lartë se ne por nuk kanë atmosferën dhe me këtë rast nuk arrijnë të jenë pjesë e europianit apo ndonjë përfaqësimi tjetër madhor. p.r.sh një nga yjet e futbollit europian që luan për Norvegjinë, Erling Haaland nuk do të jetë pjesë e Kampionatit Europian. Thënë shkurt arma kryesore e Shqipërisë është shpirti i grupit, harmonizimi dhe angazhimi maksimal i tyre për ekipin Kombëtar dhe gjithë këtë lloj merite në menaxhimin e tyre e ka Silvinjo.
Në Gjermani jetojnë shumë shqiptarë, a do ta bëjë edhe më të lehtë për Kombëtaren prezenca dhe përkrahja e tyre jo vetëm në stadiume, por në çdo cep?
Unë jam i lumtur që do të kemi shumë prezencë. Ka shumë shqiptarë që jetojnë në Gjermani dhe padyshim që do të kemi mbështetje të madhe dhe besoj që do të krijojnë atmosferë fantastike, jam shumë i bindur për këtë. Por nga ana tjetër ne nuk na ka munguar kjo gjë sidomos në këtë edicion kualifikues. Ne kemi pasur prezencë tifozerie në stadium jashtë vendit në të gjitha ndeshjet më shumë se çdo ekip tjetër në Europë, aq më tepër që tashmë flasim për një kompeticion shumë më të rëndësishëm dhe mbështetja e tifozëve tanë do të jetë determinante. Uroj dhe besoj që do t’i japin një shtysë pozitive ekipit Kombëtar fillimisht për të pasur një performancë të mirë një performancë pozitive për t’i kënaqur ata. Shqiptarët e njohin futbollin në përgjithësi, jemi popull futbolldashës kudo që jetojmë, dhe nëse ti nuk bën një rezultat të mirë, por i kënaq me atë çfarë t’i jep dhe nëse ata e shohin se sa ju jeni të motivuar nëse keni një performancë pozitive le të themi në një lloj mënyre e pranojnë edhe mos realizimin e rezultatit apo objektivit. Uroj t’i kënaqim edhe me rezultat, prania e shqiptarëve që jetojnë në Gjermani është e rëndësishme por mos të harrojmë edhe njerëzit që do të vijnë për të ndjekur Kombëtaren shqiptare nga e gjithë bota kudo që jetojnë shqiptarët nga Amerika dhe nga të gjitha vendet. Sa për kuriozitet ndeshjet më të kërkuara në UEFA për Europianin janë finalja, ndeshja e hapjes, Gjermani – Zvicër dhe Shqipëri – Itali, kështu që imagjinoni se sa shumë interes ka nga bashkëkombësit tanë që jetojnë kudo në botë por edhe nga ata që jetojnë në Shqipëri.
Gjatë mandatit tuaj 22 vjeçar keni punësuar 12 trajner të Kombëtares A, vetëm një shqiptar Ervin Bulku. Pse është kjo dashuri ndaj trajnerëve të huaj dhe me cilin nga trajnerët keni pasur raporte më të mira?
Rreth dy apo tre nga këta kanë drejtuar ekipin në momente provizore apo emergjente siç është rasti i Ervin Bulkut, Dzemail Mustedanagic apo Slavko Kovacic. Ne e kemi diskutuar për kohë të gjatë këtë hipotezë dhe unë e kam dhënë mendimin tim pse trajnerët e huaj janë më të mirë për Shqipërinë. E para sepse kanë më shumë eksperiencë dhe jam munduar të marrim më shumë përvojën e tyre nga ata që kanë edhe staturën e futbollit që i përshtatet lojës sonë, në një lloj mënyre edhe për t’i edukuar futbollistët me sistemin e lojës që ne aplikojmë ndër vite për të shkuar diku më lart. Që nga momenti kur është emëruar Giussepe Dossena apo edhe Hans Piter Brigel, ne i kemi vënë synim vetes që duam të jemi pjesë e këtij kompeticioni dhe në Europian nuk shkon rastësisht. Shumë rrallë mund të ndodhin nëse ju nuk i synoni apo programoni dhe me këtë rast gjëja e parë që ne duhet të bëjmë është që t’i mbushim mendjen vetes, futbollistëve dhe gjithë opinionit që ne vërtetë mund të shkojmë në Europian dhe unë besoj që ju i mbani mend diskutimet e asaj kohe që këto janë përralla, këto janë idiotësira, ne nuk kemi kualitet dhe nuk mund të shkojmë në Europian. Pra fillimisht duhej thyer kjo mendësi dhe një nga faktorët që mund ta thyente këtë lloj mentaliteti ishin këta trajnerë me emër në arenën ndërkombëtare dhe me eksperiencë.
E dyta sepse, nuk e di ndoshta kjo është pozitive apo negative, ne shqiptarët respektojmë më shumë të huajin dhe e dëgjojmë më shumë. Kështu që në ekipin Kombëtar duhet bërë maksimumi për të arritur rezultatin dhe nëse kjo është një gjë që ekziston dhe të ndihmon për të arritur rezultatin pse mos të bashkëpunojmë me trajner të huaj. Në disa momente siç ishte rasti i Cristian Panuçi-t apo i Silvinjos tani, të paktën në gjykimin tim ka qenë që ne kemi arritur në një nivel vërtetë të kënaqshëm dhe futbollistët në këto momente mund të mendojnë shumë lart, por duhet një autoritet i cili vërtetë di si t’i menaxhojë ata. Panuçi ishte një trajner jo me shumë eksperiencë, por futbollist i kalibrit botëror që ka luajtur në disa nga ekipet më të mëdha dhe u mendua se do të arrinte objektivat por pavarësisht se nuk i’a arriti mendoj se nuk ishte zgjidhje e keqe. E njejta gjë vlen edhe me Silvinjon i cili ka pak a shumë të njejtën staturë, por që rezultoi shumë i suksesshëm dhe i mirë për ekipin Kombëtar.
Ekipet kombëtare kanë veçoritë e veta kështu që në total të gjithë trajnerët që ju i përmendët kanë bërë punën e tyre, kanë dhënë kontributin e tyre dhe jo vetëm trajnerët por të gjithë ata që kanë luajtur me Kombëtaren shqiptare ndër vite dhe pavarësisht se duket si një slogan apo falenderim ‘koti’, është që vërtetë kjo vjen me kontributin e të gjithëve. Pikërisht për këtë ne qoftë në Kampionatin Europian të Francës por edhe të Gjermanisë i kemi ftuar të gjithë të jenë pjesë e jona, kemi ftuar të gjithë ata që kanë luajtur futboll për ekipin Kombëtar shqiptar qoftë edhe një minutë në gjithë historinë e tij dhe të gjithë ata trajnerët dhe punëtorët ndër vite që të jenë pjesë e jona dhe në shenjë falenderimi t’u jemi mirënjohës për atë që kanë dhënë, për kontributin e tyre për futbollin shqiptar, por pse jo edhe për ta mbështetur Kombëtaren, pasi prania e tyre do t’i japë një energji pozitive djemve për të na kënaqur në Gjermani.
FSHF kujdeset për edukimin e trajnerëve prej disa vitesh në Shqipëri dhe në përfundim të kursit pajisen me licencat e UEFA-s. Duke marrë parasysh këtë fakt a është ky edhe një hap tjetër që në një të ardhme të afërt të kemi në krye të Kombëtares një trajner shqiptar?
Edukimi i trajnerëve ka ekzistuar që moti, por të licencuar nga UEFA kemi filluar nga viti 2004 në nivelin më të ulët me licencën UEFA C. Rrugëtimi nga atëherë e deri këtu për të qenë një Federatë e besueshme dhe një partner shumë i rëndësishëm i UEFA-s ka qenë vërtetë i vështirë, është dashur punë për të arritur deri këtu. E them me krenari që shkolla shqiptare e futbollit sot është një nga shkollat dhe partnerët më të besuar të UEFA-s, kurset që organizohen te ne i japin shumë benefite pjesëmarrësve jo thjesht për të pasur një karton për përfundimin e saj, por shkëmbejnë eksperienca që ju shërbejnë atyre. Padyshim se i gjithë ky rrugëtim, gjithë këta trajnerë që janë edukuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, jep të drejtën dhe mundësinë që Kombëtarja shqiptare të ketë patjetër edhe një trajner shqiptar në të ardhmen. Të gjithë ne në përgjithësi jemi rritur ndër vite, vazhdojmë të rritemi e në të njëtin nivel edhe trajnerët dhe natyrshëm do të vijë, apo edhe ka ardhur dita për të pasur trajner shqiptar. Ka një avantazh emërimi i një trajneri vendas, pasi gjuha është e njëjtë dhe është shumë e rëndësishme dhe akoma shumë më e mirë kur t’i komunikon dhe motivon futbollistët me gjuhën e nënës, është pak më e vështirë ta bësh me gjuhën e huaj apo edhe me përkthyes, është një gjë shumë e rëndësishme mënyra se si motivon me një gjuhë të huaj qoftë edhe përkthyesi punën që bën. Në këtë moment nuk mund të diskutojmë për një trajner shqiptar pasi jemi në kulmin e suksesit historik dhe nuk mund të diskutojmë për ndërrimin e trajnerit.
Krahas edukimit dhe shkollimit të trajnerëve, në FSHF i kushtoni shumë vëmendje grupmoshave të reja dhe futbollit të vajzave?
Dy vite më parë kemi prezantuar strategjinë e Federatës Shqiptare të Futbollit për vitet pasardhëse deri më 2025 dhe kemi vendosur objektiva vërtetë serioz por edhe të arritshëm.
Madje, një nga objektivat e vëna në prezantimin e strategjisë së futbollit për kombin ka qenë kualifikimi për në Europian, i arritur tashmë, por oreksi është shtuar dhe do të tentojmë të shkojmë në Botërorin e ardhshëm, i kemi të gjitha mundësitë. Dy prioritetet kryesore të strategjisë së prezantuar kanë qenë futbolli i fëmijëve dhe i vajzave. Ne vërtetë i detyrohemi shumë fëmijëve, por i detyrohemi edhe lojës dhe nuk mund ta sigurojmë të ardhmen e lojës nëse nuk investojmë te fëmijët dhe për këtë arsye ne kemi programuar punët që duhet të bëjmë dhe i kemi vënë objektiva. Kemi objektiv që ta dyfishojmë numrin e fëmijëve, që është shumë i vështirë për kushtet aktuale që jeton Shqipëria, popullësia në ulje dhe futbollistët në rritje. Është objektiv i vështirë por unë mendoj që ne do ta realizojmë dhe që ta realizosh këtë duhet bërë shumë gjëra që duhen të përgatiten mirë. Të ndihmosh në përmirësimin e infrastrukturës që vërtetë është e pakët në vendin tonë apo edhe në rajon dhe nuk mjafton vetëm kontributi ynë. Ne si Federatë duhet të kordinojmë dhe bashkëpunojmë me të gjithë faktorët e tjerë për ta përmirësuar, për të shtuar fikizikisht numrin e terreneve sportive dhe duhet punuar për përmirësimin e edukimit të trjanerëve për këtë kategori për të cilën folëm pak më parë.
Vërtetë kemi rezultate pozitive por për kërkesat që kemi ne për futbollin na duhet akoma shumë më shumë punë për futbollin e fëmijëve. Rezultati nuk është vetëm një fitore e ekipit U-17 apo U-19, padyshim që nëpërmjet rezultatit fëmijët rriten por rezultati është që të kesh sa më shumë fëmijë rreth futbollit sa më shumë kualitet dhe talente të cilët dëshirojnë ta ndjekin ëndrrën e tyre për t’u bërë futbollist. E njejta gjë vlen edhe për futbollin e vajzave. Te ne për shumë arsye ka qenë i vështirë zhvillimi i këtij futbolli, ne kemi filluar shumë vonë ka qenë vitit 2008. I gjithë komuniteti jonë kemi bërë një luftë me mentalitetin që ky nuk është vetëm një sport mashkullor por është sport i të gjithëve nuk ka diferenca as të gjinisë, fetare apo një diferencë tjetër është sport i të gjithëve, pra lufta e parë ka qenë me mentalitetin, pastaj me ndryshimin e kushteve. Si rezultat i kësaj ne sot kemi një numër të konsiderueshëm të vajzave që luajnë futboll, organizojmë kampionatin kombëtar të vajzave në futboll, kemi ekipet përfaësuese, kemi ekipet rajonale dhe akoma më shumë financime apo investime i adresojmë për këto dy prioritete të komunitetit të futbollit shqiptar. Jam shumë i bindur se nëse punojmë mirë për këto dhe po punojmë çdo ditë mirë e më mirë ne sigurojmë të ardhmen e këtij sporti në vend.
Cilat janë pikat kryesore gjatë rrugëtimit tuaj në krye të institucionit të futbollit shqiptar?
Së fundmi kishim një mbledhje të komisionit të UEFA-s “Grassroots” në Shtëpinë e Futbollit në Shqipëri dhe të gjithë që ishin të pranishëm në këtë aktivitet ishin të befasuar me ndryshimin që panë në Shqipëri, sepse janë njerëz të futbollit me të cilët kemi shkëmbyer eksperienca ndër vite dhe e njohin situatën në vendin tonë, por ishin të mahnitur nga ndryshimet që ka në futbollin shqiptar. Nëse do të kthejmë kokën pas atëherë mund të themi se Shqipëria kishte shumë pak aktivitete, shumë pak lojtarë dhe tani ndryshimet janë shumë të mëdha, në numrin e futbollistëve organizimin e garave etj.
Për të arritur të gjitha këto ka vetëm një sekret, punë, punë dhe vetëm punë dhe bashkëpunim i gjithë komunitetit të futbollit. Komuniteti i futbollit e ka mbështetur pa asnjë dyshim çdo lloj momenti qoftë edhe shumë të vështirë për Federatën e tyre për zhvillimin e futbollit. Nëse e pyesni këdo që e ka vizituar dhe viziton Shqipërinë të gjithë thonë, futbolli shqiptar ka avancuar ka bërë ndryshme në infrastrukturë, Shtëpia e Futbollit që është një gjë fantastike e shumë gjëra të tjera pozitive, por për mua ajo që e siguron vërtetë të ardhmen e futbollit të sigurt është konsolidimi i institucionit, një institucion që ka aftësi të menaxhojë shumë mirë dhe pikërisht falë kësaj administrate të Federatës së Futbollit të gjitha rezultatet dhe zhvillimet e futbollit janë falë tyre. Ne kemi sot vërtetë një institucion të konsoliduar, i cili e siguron ekzistencën e saj pavarësisht se kush do të jetë president, ky është një institucion i konsoliduar dhe unë mendoj që ky është sekreti dhe kjo ka qenë historia e suksesit për ne.
Keni kaluar shumë pengesa në krye të FSHF-së, por sot zhvillimet janë të shumta?
Unë jam krenar në çdo rast që dëgjoj për ndonjë zhvillim pozitiv në vendin tim. Jam krenar kur ka zhvillime pozitive politike, jam krenar kur ka zhvillime kulturore pozitive, kur vendi im përfaqësohet më mirë, kur ne i tregojmë të tjerëve shembuj pozitiv të fëmijëve tanë. Padyshim që jam akoma më krenar kur ka zhvillime pozitive dhe vlerësime për atë që unë jam pjesë, për futbollin shqiptar. Kam lidhur në një lloj mënyre jetën me futbollin, kam kaluar pjesën më të mirë të jetës time këtu dhe kjo më bën që ta ndiej akoma më shumë krenarinë apo kënaqësinë në çdo lloj të zhvillimit pozitiv të futbollit shqiptar. Në asnjë mënyrë kjo nuk e lidh suksesin apo zhvillimin me një individ, suksesin e lidh gjithmonë me punën apo bashkëpunimin fantastik me të gjithë aktorët e futbollit në përgjithësi të klubeve që bëjnë punë të mëdha, të drejtuesve të tyre që kanë sakrifikuar dhe sakrifikojnë çdo ditë, pra është puna e tyre, e trajnerëve, e futbollistëve, e administratës së Federatës e Komitetit Ekzekutiv, e frymës dhe bashkëpunimit që kemi krijuar me njëri-tjetrin e besimit të ndërsjellë. Futbolli tek e fundit kështu është, ka edhe diskutime dhe mospajtime, ne kemi edhe vërejtje, kritika me njëri-tjetrin apo me anëtarët tanë, por në fund kur bëhet fjalë për lojën, ne jemi të bashkuar të gjithë për ta zhvilluar futbollin sa më shumë.
Në tjetër gjë pozitive është infrastruktura. Shqipëria tashmë ka një situatë tjetër sa i përket stadiumeve.
Ndryshimet janë vërtetë të mëdha ato të cilat edhe ju i përmendët, ndërtimi i shumë fushave që janë bërë në mbarë vendin nga investimet e Federatës së Futbollit apo edhe nga mbështetja që kemi patur nga institucionet ndërkombëtare nga UEFA kryesisht por edhe nga FIFA, nga bashkëpunimet me pushtetin vendor por edhe infrastruktura e fushave kryesore, sa që ne sot pa frikë kërkojmë të organizojmë shumë turne apo aktivitete të nivelit që dikur as që mendohej për to. Madje në mbledhjen e Federatave rajonale që kishim në Tiranë që ju pak më parë e përmendët po diskutonim për organizimet dhe me krenari iu thashë që ne mund t’i bëjmë, ne kemi infrastrukturën më të mirë në rajon për futbollin e luajtur, mbase jo për fushat e stërvitjes. Kemi ndërtuar “Elbasan Arena” në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, kemi ndërtuar stadiumin e Shkodrës, stadiumin e Kukësit, dhe për të ardhur le të themi te dy perlat e investimeve, “Shtëpia e Futbollit” këtu në Tiranë, por edhe “Air Albania” stadiumi që çdo njeri që shkel në të surprizohet, kënaqet dhe vërtetë jep vlerësime maksimale pozitive.
Stadiumet ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e lojës, ndikojnë në krijimin e një klime tjetër, kushteve pa dyshim fantastike, por nuk jemi në nivelin e duhur të numrit të fushave sportive dhe ne kemi akoma shumë, shumë për të bërë. Për këtë arsye ne kemi bërë projektin e njohur “100 fusha” me qëllim që të ndërtojmë fusha në bashkëpunim me çdo lloj individi apo institucioni, duke financuar 50% të tyre i cili është në zbatim por jo në nivelet e dëshiruara apo të objektivave tanë. Uroj që të kemi akoma më shumë bashkëpunim, por duke pasur parasysh le të themi situatën kombëtare kur shumë njerëz vijnë drejt Tiranës. Tirana shtohet në numër çdo ditë dhe qytetet e tjera pakësohen. Atëherë ne kemi shumë nevojë për ndërtimin e më shumë fushave këtu dhe për këtë kemi nevojë për bashkëpunim për të na krijuar të paktën hapësirën e duhur që ne të vendosim më pas investimin e këtyre fushave të cilat na duhen shumë.
A po mendon FSHF të organizojë ndeshje të tjera finale si ajo e Conference League?
Në vitin 2023 kemi organizuar në Shqipëri 11 turne ndërkombëtarë kualifikues për moshat U-17 dhe U-19 vjeç, vajza dhe djem. Kemi organizuar finalen e Conference League në “Air Albania”, ndërsa në vitin 2025 për herë të parë do të organizojmë Kampionatin Europian U-17 që për mua vërtetë është një vepër madhore, një organizim shumë i rëndësishëm që i është besuar Federatës Shqiptare të Futbollit. Jemi duke menduar për të organizuar një turne akoma më të rëndësishëm në vitin 2027. Ndërsa për të shkuar në finalet e Champions League, Europa League apo Kampionatit Europian do të duhet akoma më shumë ndryshime për arsye të kapaciteteve jo vetëm të stadiumeve që duhen për këto kompeticione por edhe kapaciteteve infrastrukturore, por kam besim që në një të ardhme të afërt do t’i plotësojmë kritetet apo kushtet për të organizuar edhe evente të tjera madhore. Megjithatë e përsëris në strategjinë apo objektivat tona afatshkurtër është kjo që ne kemi arritur tashmë të organizojmë Kampionatin Europian për 17 vjeçarët apo edhe Kampionatin Europian U-21 në të ardhmen.
Në mesin e këtyre shumë zhvillimeve pozitive padyshim janë edhe ekipet shqiptare që bëjnë pjesë në kategoritë e ndryshme në Shqipëri, megjithatë vërehet mungesa e sukseseve të tyre në arenën ndërkombëtare, pse po ndodh kjo?
Kampionati kombëtar në Shqipëri ka luftë sportive, por niveli sportiv nuk është në nivelet e kënaqshme për të konkurruar në nivelet euopiane për një arsye. Arsyeja kryesore është aspekti ekonomik dhe kjo sjell le të themi edhe faktin e dytë sepse klubet në njëfarë mënyre vuajnë, ata mbështeten financiarisht nga presidentët e tyre por ka pak hapësira ligjore që ata të zhvillohen akoma më shumë dhe për të qenë kompetitiv për arenën europiane.
Me këtë rast futbollistët sapo fillojnë, zhvillohen dhe sapo pritet ta ndihmojnë ekipin e tyre lëvizin shpejt nga kampionati shqiptar në drejtim të kampionateve të tjera jo vetëm në kampionatet elitare, por pak a shumë në kampionatet sikurse Shqipëria që kanë një nivel eknomik më të mirë si p.r.sh në Rumani, Turqi, Kroaci apo vendet të tjera dhe kjo e bën që kampionati apo ekipet tona mos të kenë një nivel të kënaqshëm. Për këtë duhet vërtetë lëvizje ekonomike, lëvizje strategjike ligjore në Shqipëri. Për këtë ne kemi kërkuar që të ketë një ndryshim ligjor, të ndryshojë ligji i famshëm për sponsorizimin që ne kemi të cilin ju në Kosovë e keni shumë më të mirë se ne dhe unë për këtë nuk jam xheloz jam shumë i kënaqur që ju e keni por dua që edhe ne ta kemi të tillë, që edhe klubet tona të kenë më shumë frymëmarrje financiare. Ka shumë diskutime për këtë ligj, dikush thotë pse duhet të ketë lek nga buxheti apo taksat le të shkojnë në futboll dhe i duken si shpenzime. Këto para që mund të vijnë nga buxheti dhe të cilat mund të hidhen në futboll, janë investimi më i mirë që ne mund të bëjmë jo vetëm për futbollin por edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, janë investime të cilat mund të kthehen shumëfish, klubet kanë nevojë për këtë lloj investimi kanë nevojë për këtë lloj ligji dhe unë më në fund shpresoj dhe jam i bindur që këtë vit do ta realizojmë këtë. Kam premtimin e qeverisë dhe Kryeministrit Rama, që do ta realizojë do t’i japi një shtysë pozitive klubeve për të pasur një nivel akoma më të mirë dhe një futbollist le të themi që për pak kushte financiare lëviz nga kampionati shqiptar në Rumani apo në Turqi në kategori të dytë do të qëndrojë këtu, sepse do të ketë të ardhura më shumë dhe kjo do të sjellë rezultate pozitive. Nëse ne do ta bëjmë këtë lëvizje, nëse ne do t’i japim frymëmarrjen e duhur do të jemi të suksesshëm në Europë dhe duke qenë të suksesshëm në Europë, do të krijojmë akoma më shumë të ardhura dhe zhvillimi do të jetë i sigurtë”.
Me gjithë këto zhvillime, a ka ndryshuar imazhi i Federatës së Futbollit të Shqipërisë dhe në tërësi i futbollit shqiptar në Europë dhe botë?
Nëse do kujtoj kohën kur kam filluar punën si President i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe sot ndryshimi është i madh në shumë aspekte, mbase edhe i pabesueshëm në një lloj mënyre se kush ishte Federata e Futbollit në atë kohë dhe kush është sot. Në sytë e çdo njeriu në Europë dhe botë që merret me futboll apo ndjek futbollin, qoftë ky drejtues Federatash, trajner, futbollist apo edhe tifoz që viziton Shqipërinë. Unë besoj se jemi në një epokë krejt të ndryshme. Nëse dikur FSHF në aktivitetin europian përfaqësohej me maksimumin e dy apo tre njerëzve, një delegat e dy arbitra, sot Federata e Futbollit të Shqipërisë përfaqësohet pothuajse në të gjitha organet e UEFA-s, në të gjitha Komitetet e saj. Ne kemi shumë delegatë të ndeshjeve të futbollit, pjesëmarrje në Komitete, arbitra ndërkombëtarë, arbitre femra ndërkombëtare që dikur as që mund të mendohej, për të ardhur në fund që kemi edhe një zv.President të UEFA-s, dhe kjo besoj se flet shumë për ndryshimin e imazhit të futbollit shqiptar në sytë e të tjerëve”.
Raportet e mira me të gjithë homologët – Unë mendoj që ne shqiptarët i respektojmë bashkëpunëtorët dhe miqtë dhe me të gjithë mundohemi të krijojmë raporte korrekte dhe të mira. Të njejtën gjë me të gjithë e kam bërë edhe unë me gjithë partnerët, homologët me të gjitha Federatat e tjera dhe me të gjithë që merren me futboll. Natyrshëm marëdhëniet tona janë shumë më të ngushta, ne flasim të njejtën gjuhë ne jemi pothuajse një dhe këtë e kemi treguar në gjithë historinë tonë, kështu që natyrshëm e shoh Federatën e Futbollit të Kosovës, futbollin e Kosovës, Presidentin e saj Agim Ademi si pjesë e të njëjtit trup, të njejtën gjë edhe me Maqedoninë e Veriut, ku sot drejtohet nga një shqiptar, Muhamet Sejdini. Ka qenë vërtetë e pabesueshme që futbolli në Maqedoninë e Veriut të drejtohet nga një shqiptar. Ne e dimë dhe e njohim shumë mirë historinë, kujtoj ditët e mia të para kur kemi filluar të udhëtojmë gjatë viteve 90-të, kalonim nga Maqedonia e asaj kohe, ku jemi parë nga ai vend sikur mos të ishim njerëz, kurse sot drejtojmë futbollin atje, kështu që marëdhëniet janë shumë, shumë më të ngushta me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, me Presidentin Agim Ademi me Presidentin Muhamet Sejdini, me gjithë komunitetin e futbollit sidomos në Kosovë sot dhe gjithmonë. Unë kujtoj me kënaqësi gjithë historinë dhe marëdhëniet e mia të paktën personale me futbollin kosovar me Federatën me drejtuesin e parë të saj që kam pasur kontakt Sabri Hashani dhe me legjendarin Fadil Vokrri. Me Fadil Vokrrin kemi patur një rrugëtim në një kohë të rëndësishme për futbollin kosovar dhe bashkëpunimi me Fadilin, por edhe Agimin sepse ai ka qenë gjithmonë prezent në të gjitha takimet bashkë me Fadil Vokrrin në Shqipëri apo edhe jashtë saj në lobimin që kemi bërë bashkarisht për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA, sepse lufta kryesore ishte pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe në FIFA pastaj rezultoi akoma më e lehtë. Më kujtohet shumë vite më parë mund të ketë qenë viti 2008 apo 2009 kur Michael Platini do të vizitonte Shqipërinë, jo në këtë objekt, por në zyrat e objektit të vjetër të Federatës Shqiptare të Futbollit. Më tha: “Shiko mundësisht mos të jetë Federata e Kosovës në takim”, pasi atë kohë FFK-ja nuk ishte pjesë e UEFA-s. Unë i thashë “Nuk ka problem. Hajde, se nuk do të jenë prezentë. Dhe ai sapo hapi derën e zyrës time, pa Fadil Vokrrin dhe Agim Ademin, kështu që unë nuk mund të mos e shfrytëzoja atë moment për të biseduar qoftë edhe me Michaelin dhe delegacionin e tij për të ardhmen e futbollit kosovar, për mbështetjen që duhej t’i jepnim dhe filluan t’i jepnim atë kohë pavarësisht se nuk ishte anëtar i UEFA-s dhe për të lobuar ndërkohë për të qenë anëtar i UEFA-s. Thënë ndryshe në gjithë rrugëtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës gjatë kësaj kohe unë e shoh veten pjesë të procesit. Marr kënaqësi pafund kur bëhen zhvillime në futbollin kosovar kur ka rezultate pozitive. Kam shumë besim edhe te Kombëtarja e Kosovës sepse në Kosovë ka futbollistë shumë të mirë ka kualitete në ekipin Kombëtar dhe besoj shumë që do të bëjnë mirë qoftë në Nations League që ka një grup relativisht të kalueshëm dhe e kanë objektivin real që ta arrijnë vendin e parë, por pse jo edhe në kualifikueset për botëror. Kam respekt realisht edhe për trajnerin e emëruar tani, kam respekt për CV-në e tij jo për njohjet e mia personale me të. Unë ndjek çdo emision sportiv dhe çdo detaj të zhvillimit të futbollit në Kosovë, mbase më shumë se sa emisionet për futbollin në Shqipëri, kështu që natyrshëm partneri kryesor është Federata e Futbollit të Kosovës dhe Agim Ademi”.
Posti i Zv.Presidentit të UEFA-s është më i larti në histori që një shqiptar e mbart mbi supet e veta, sa ju bën kjo krenar dhe përgjegjës qoftë për futbollin në Shqipëri por edhe për të gjithë futbollin në trevat shqiptare?
Është një pyetje e vështirë për mua dhe për natyrën time. FSHF përfaqësohet mirë në shtëpinë e futbollit europian dhe kjo më bën krenar pa asnjë diskutim, fakti që personalisht jam në këtë pozicion akoma më shumë më bën krenar. Në traditën e UEFA-s zakonisht bëhet Zv.President ai që votohet më shumë, ky nuk është një ligj i shkruar por kjo gjë respektohet, kështu që zgjedhja ime si Zv.President i UEFA-s erdhi si rezultat i votimit në Kongresin e saj për anëtar në Komitetin Ekzekutiv. Pra sa më shumë besim të keni nga kolegët dhe homologët aq më afër apo natyrshëm mund të jesh një nga Zv.Presidentët e saj. Jam krenar që ne jemi prezent në zhvillimet e futbollit europian, pse jo e mendoj si një pjesë e kontributeve për zhvillimin e futbollit në vendin tim.
Nga viti 2004 keni mbajtur disa pozicione në UEFA madje së fundmi jeni edhe Kryetar i Komitetit të Mediave në UEFA, sa ju ka ndihmuar kjo përvojë e gjatë për të ardhur deri te pozita e Zv.Presidentit të UEFA-s dhe për të qenë ky që jeni sot?
Futbolli në përgjithësi është i vështirë apo institucionet dhe zhvillimi i futbollit në terësi nuk është i lehtë. Fiton shumë eksperiencë me një të kaluar të tillë dhe të bën të kuptosh akoma më mirë se si funksionon kjo organizatë. Bazat e kësaj organizate janë respekti, bashkëpunimi dhe solidariteti, nëse e kupton shumë mirë këtë besoj se je shumë afër suksesit dhe pozitave kyçe në UEFA.
Jemi në prag të Kampionatit Europian, slogani i Kombëtares apo i tifozëve shqiptarë në Francë ka qenë “Me Plis në Paris”, cili do të jetë slogani për në Gjermani a keni përzgjedhur diçka të tillë?
Në fakt ne e kemi shpalosur pas ndeshjes së fundit sloganin tonë për në Gjermani: “Po ku ka si ti o Shqipëria ime”.
President Duka, faleminderit për kohën dhe intervistën të cilën e realizuam, juve personalisht por edhe Kombëtares shqiptare dhe tifozëve ju dëshirojmë suksese, pse jo në Kampionatin Europian të korrim suksese dhe ti përmbushim aspiratat dhe dëshirat e të gjithë shqiptarëve kudo që janë?
Unë të falënderoj për mundësinë, të falënderoj për komunikimin, por të falënderoj akoma më shumë ty dhe gjithë mediat në Kosovë për mbështetjen dhe promovimin që i jepni futbollit shqiptar që është një gjë shumë e rëndësishme dhe uroj që të gjithë bashkë, gjithë shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që janë ta shijojnë Europianin dhe të marrim rezultate sa më të mira./ata